
Lideri i Lega-s në Itali, Matteo Salvini, vizitoi Varshavën të mërkurën, për të diskutuar rreth formimit të një aleance të euroskeptikëve me kreun e partisë që qeveris Poloninë, Jaroslaw Kaczynski.
“Polonia dhe Italia do të jenë pjesë e pranverës së re të Europës, rilindjes së vlerave europiane”, tha ai gjatë një konference të përbashkët shtypi me homologun e tij, ministrin e Brendshëm, Joachim Brudzinski.
“Europa e re që do të lindë në qershor (pas zgjedhjeve për Parlamentin Europian në maj) do të na udhëheqë drejt më mirë se kjo e sotmja, që udhëhiqet nga burokratët”, tha ai.
Salvini e ftoi Poloninë për të punuar së bashku për një Europë të re. Objektivat e propozuarë të aleancës së re përfshijnë bashkimin e euroskeptikëve të të gjitha kontinentit para zgjedhjeve të majit.
Kaczynski, i cili drejton partinë në pushtet, Ligj dhe Drejtësi (PiS) është përplasur shpesh me Brukselin për çështje të ndryshme. Ai i ka kërkuar Bashkimit Europian të mos ndërhyjë në punët e brendshme të vendit të tij.



