
Partia Demokratike kundërshton paketën antishpifje, e miratuar dy ditë më parë nga qeveria. PD e konsideron paketë censure ligjin e ri për mediat online. Ish-kryetarja e Komisionit të Medias, Albana Vokshi, përmes një deklarate për mediat akuzoi kryeministrin se nëpërmjet Autoritetit të Medias do të vërë nën kontroll të gjitha mediat.
“Me këtë paketë, Rama kërkon t’i mbyllë gojën çdo mediaje kritike ndaj tij, çdokujt që nuk mendon si ai, çdo gazetari që do të guxojë të publikojë aferat e tij korruptive apo lidhjet e tij me krimin e organizuar. Kjo paketë vendos gjoba të papërballueshme, parashikon mbyllje të portale dhe deningrimin e tyre publik. Kur të vendoset ndëshkimi i portalit, në vend të lajmeve, aty do të shfaqet fletërrufeja e shkruar nga Rama për të damkosur çdo kritik të tij. Këtë mekanizëm censure, Edi Rama do ta drejtojë nëpërmjet Autoritetit të Medias, të cilin tani e ka vendosur nën kontroll, pas hakmarrjeve dhe shkarkimeve politike të dy anëtarëve të tij”, thotë .
Për Vokshin, ky projektligj do të thotë rikthim në diktaturë.
“Pa liri të medias, pa liri të shprehjes, nuk ka demokraci. Pa liri të medias nuk ka hapje të negociatave as në tetor. Këtë paralajmëruan “Reporterët pa Kufij” në raportin për indeksin e lirisë së medias, ku vunë alarmin se media në Shqipëri është e kërcënuar nga mafia dhe qeveria”, tha ajo.



