
Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati deklaroi se Shqipëria dhe Greqia duhet të angazhohen sa më parë seriozisht për të arritur marrëveshjen e detit.
Bushati u përgjigjet edhe kritikëve për çështjen e zgjerimit të Greqisë me 12 milje në detin Jon, kur i kujton se në nenin 2 të asaj marrëveshjeje që ka firmosur i njihte shprehimisht gjerësinë e detit territorial të Greqisë prej 12 miljesh detare, kur në fakt kjo çështje s’ka pse të jetë objekt i marrëveshjeve, pasi është çështje e brendshme e vetë shteteve që rregullohet duke u bazuar në Konventën e të Drejtës së Detit.
“Shqipëria dhe Greqia janë shtete bregdetare në krah të njëra-tjetrës. Ndarja e hapësirave detare përbën një interes të ndërsjellë strategjik. Përcaktimi i këtyre hapësirave për dy shtete që janë pjesë e Konventës të së Drejtës së Detit të Montego Bay u mundëson atyre ushtrimin e sovranitetit të plotë në një zonë të përcaktuar qartë me koordinata dhe shfrytëzimin e plotë të burimeve natyrore.
Ata që bërtasin sot për efektin e 12 miljeve detare bëjnë mirë të kujtojnë se neni 2 i asaj marrëveshje që kanë firmosur vetë njihte shprehimisht gjerësinë e detit territorial të Greqisë prej 12 miljesh detare, kur në fakt kjo çështje s’ka pse të jetë objekt i marrëveshjeve, pasi është çështje e brendshme e vetë shteteve që rregullohet duke u bazuar në Konventën e të Drejtës së Detit.
Sipas përcaktimeve të Konventës, hapësirat detare mes shteteve përbëhen nga tre komponentë kryesorë: a) Deti Territorial, hapësira e ujërave të brendshme të një shteti, që shkojnë maksimumi deri në 12 milje nga vija e drejtë bazë ose vija natyrale e ujit (Neni 3); b) Shelfi Kontinental, tabani i fundit i detit deri në thellësitë e shfrytëzimit teknik që shtrihet deri në 200 milje dhe kufiri i llogaritjes së tij merret milja e 12-të e kufirit të detit territorial (Neni 76); c) Zona Ekskluzive Ekonomike, që vendoset mbi Shelfin Kontinental, e cila shtrihet deri në 200 milje dhe kufiri i llogaritjes së saj merret milja e 12-të e kufirit të detit territorial. Zona Ekskluzive Ekonomike shtrihet nga tabani i detit deri në sipërfaqen e ujit (Neni 55). Zakonisht, Shelfi Kontinental dhe Zona Ekskluzive Ekonomike mbivendosen mbi njëra-tjetrën”.
Në një shënim të gjatë në “Facebook”, Bushati tha se duhet që si udhërrëfyes të mbahet vendimi i Gjykatës Kushtetuese në 2009.
“Për kryerjen e delimitimit të hapësirave detare ka rëndësi që shtetet të përcaktojnë vijën e drejtë bazë, e cila mund të jetë normale, e drejtë ose e kombinuar, në përputhje me Konventën, çka më pas ndihmon në ndërtimin e vijës delimituese, së cilës i bëhen modifikime, duke marrë në konsideratë edhe elementë të veçantë, siç janë gjeografia e terrenit, titujt historik dhe ndarja e drejtë. Prandaj, angazhimi në këtë proces është i domosdoshëm. Madje, i vonuar. Përfundimi i tij krijon mundësi për shfrytëzimin e hapësirave detare dhe burimeve natyrore. Ndërkohë që nuk duhet të ketë dyshime për nevojshmërinë e këtij procesi, çështja thelbësore është mënyra sesi duhet t’i qasemi atij. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që shpalli të papajtueshme me Kushtetutën, marrëveshjen e nënshkruar më 27 Prill 2009, përbën një udhërrëfyes që duhet ndjekur me kujdes, pavarësisht se nuk mungojnë zërat publikë që ende pretendojnë se kjo marrëveshje ishte e drejtë dhe se vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese ishte e ndikuar politikisht.”
Bushati më tej përmblodhi të gjitha hapat e kryer nga qeveria socialiste, kur Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë marrëveshjen e 2009.
“Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, qeveria e kohës pajtoi një ekspertizë ndërkombëtare. Ne gjithashtu ishim tejet të ndjeshëm ndaj kësaj çështje. Në opozitë kundërshtuam në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen e vitit 2009. Ndërsa me ardhjen në krye të punëve të vendit filluam një proces konsultimesh me ekspertë ndërkombëtar dhe vendas. Për ne socialistët, Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte jo vetëm udhërrëfyesi që duhet të ndiqnim me kujdes, por në të njëjtën kohë edhe linja e kuqe që nuk duhet shkelur. Ndonëse në kuptimin e Konventës së Vjenës mbi të Drejtën e Traktateve, marrëveshja e vitit 2009, për shkak të mosratifikimit të saj, nuk u konkludua, nuk ishte aspak e lehtë për t’u riulur në tryezën e diskutimeve e më pas negocimit me Greqinë, me qëllim arritjen e një marrëveshje të re. Ndërtuam një proces besimi hap pas hapi, duke analizuar bisedimet, interesat e ndërsjella, instrumentet në dispozicionin tonë dhe skicuam rrugën e kalendarin për mënyrën e zgjidhjeve të të gjitha çështjeve dypalëshe, duke përfshirë edhe delimitimin e hapësirave detare, me synim një ndarje të drejtë e të ndershme mes palëve.”
Sipas tij, Shqipëria është nën presion sepse zgjidhja e problemeve me fqinjët është edhe një kusht për hapjen e negociatave.
“Megjithëse BE-ja ka në gjirin e saj shtete anëtare, të cilat ende nuk kanë gjetur rrugën e zgjidhjes me njëra-tjetrën për çështjet e delimitimit të hapësirave detare, për shkak të mungesës së një standardi europian, insistimi i Greqisë për ta bërë këtë çështje dypalëshe, që zgjidhet vetëm përmes të drejtës ndërkombëtare, pjesë të agjendës europiane, shton në mënyrë të padrejtë presionin ndaj nesh.”
Duke komentuar faktin që Shqipëria dhe Greqia do t’i drejtohen organeve ndërkombëtare të drejtësisë, Bushati tha se duhet angazhim dhe përgatitje serioze.
“Sot jemi përballë faktit të deklaruar se Shqipëria dhe Greqia do t’i drejtohen një gjykate ndërkombëtare për delimitimin e hapësirave detare. Ky është gjithashtu një proces impenjativ që kërkon dije, përgatitje serioze dhe kohën e duhur. Pasi nuk kemi të bëjmë me transferim të përgjegjësive për mënyrën e adresimit të kësaj çështje, por me shprehjen e gatishmërisë të palëve ndërgjyqëse për të pranuar verdiktin e gjykatës ndërkombëtare. Para nisjes së procesit gjyqësor, Shqipëria dhe Greqia do të duhet të përfshihen sërish në një proces ndërveprues nga i cili duhet të hartojnë një dokument të përbashkët për lëndën që do t’i nënshtrohet gjykimit, ku duhet të evidentohen gjithashtu pikat e përbashkëta dhe diferencat mes palëve, për të cilat duhet të shprehet gjykata. Lojërat politike dhe akuzat duhet t’i lënë vendin një diskutimi serioz që udhëhiqet nga arsyeja shtetërore dhe interesi kombëtar, e që siguron në të njëjtën kohë, mirëkuptim sa më të gjerë politik e shoqëror, për trajtimin e çështjeve të pazgjidhura me fqinjin sipas objektivave të përcaktuara nga politika e jashtme.”



