
Draftligji “Për bastet online” ka dalë nga dje në Regjistrin Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike.
Nga një vëzhgim i thjesht vihet re që brenda 24 orëve statusi ka ndryshuar nga “konsultim i mbyllur” në “konsultim të hapur”.
Nuk dihet nëse bëhet fjalë për një lapsus.
Pak ditë më parë Ministrja Ibrahimaj do të shprehej se ligji do të hidhej për konsultim publik në fillim të kësaj jave dhe do kalonte të gjitha fazat e konsultimit publik.
Kujtojmë që drafti për bastet online parashikon rihapjen e basteve sportive online dhe jo në pika fizike sikundër ka qenë më parë.
Në draftligj thuhet se:
Bastet sportive online luhen nëpërmjet paisjeve elektronike si smartphone, tabletave, Ipad, laptop por pa u kufizuar vetëm në to, në faqet zyrtare të internetit, aplikacionet e subjekteve të licensuara për ushtrimin e aktivitetit baste sportive online, dhe vetëm nëpërmjet programeve apo platformave të autorizuara nga komisioni i licencimit, sipas parashikimeve të këtij ligji dhe akteve nënligjore".
Me vendim të Këshillit të Ministrave pas marrjes së mendimit të AKSHI përcaktohen standardet që kanë të bëjnë me kushtet teknike të sistemit të basteve sportive on-line, duke përfshirë identifikimin dhe regjistrimin e lojtareve, kërkesat e programeve software dhe hardware, certifikimin e sistemit, procedurat në lidhje me faturat dhe transaksionet e pagesave, parimet e sigurisë dhe kushtet e kontrollit apo mbikëqyrjes.”.
Në kriteret për licensimin kërkohet që shuma e kapitalit të mos jetë më pak se 20 milionë lekë, si dhe deklarimi i burimit të kapitalit që do të investohet për ushtrimin e veprimtarisë për kategorinë “Baste Sportive Online”.
Vihet në dukje se organizatori e ka si detyrim të regjistrojë çdo lojtar që do të marrë pjesë në baste sportive online si dhe të marrë e të ruajë të dhëna për identitetin e tyre për të paktën 3 vjet, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale. Po ashtu organizatorit i ndalohet të pranojë para në dorë nga lojëtarët, por vetëm nëpërmjet Agjenteve Financiar të Autorizuar sipas ligjit.



