Deputeti Ben Blushi dhe 6 kolegë të tij kanë thirrur në një interpelancë kryeministrin Rama lidhur me mungesën e një afati të saktë të hapjes së negociatave me BE-në. Në fjalën e tij në nisje të seancës, Blushi tha se fajtorët më të mëdhenj të ngërçit të integrimit janë brenda Parlamentit.
“Një dramë kombëtare që po kushtëzon Shqipërinë. Nëse gjithë këto peripeci mund të ishin shmangur, nëse Shqipëria do të ishte qeverisur më mirë në 25 vjet, 1 milion shqiptarë nuk do të ishin dëbuar në emigracion për shkak të papunësisë e padrejtësisë.
Nuk ka qenë Europa që na ka paragjykuar. Ajo paragjykon krimin, korrupsionin. Europa ka bërë më shumë seç mundej, por ne kemi bërë më pak seç duhet. Kundërshtarët më të mëdhenj të integrimit të vendit nuk janë jashtë Shqipërisë. Ata janë brenda, janë elitë politike, në këtë Parlament. Sot nuk jemi në Europë, edhe pse jemi eruopianë. Humbja më e madhe e njeriut nuk është koha. Është shpresa. Edhe atë po e humbim”, tha Blushi.



