Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo, në një intervistë për MCN, komentoi kërkesën e ambasadorit rus për heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë, duke theksuar se një gjë e tillë është e pamundur pasi Shqipëria është e linjëzuar me partnerët e saj perëndimorë dhe BE-në.
Ai nënvizoi se qëndrimi i Shqipërisë ndaj luftës në Ukrainë është i qartë dhe çdo devijim do të rrezikonte integrimin europian të vendit.
“Është një deklaratë që edhe vetë ambasadori rus në Tiranë e kupton që nuk ka mundësi të ndodh sepse Shqipëria ecën me një ritëm me partnerët e vetë. Shqipëria nuk mund të bëjë ndryshe sepse është e bindur që lufta në Ukrainë dhe ka përgjegjësi Rusia për këtë, por ka dhe përgjegjësi institucionale me partnerët. Nëse përmirësohet duke hequr sanksionet, s’besoj se është realiste.
Shqipëria në çështjen e luftës në Ukrainë është e linjëzuar shumë qartë dhe s’mund të bëjë ndryshe. Nëse duam që të anëtarësohemi në BE një nga kushtet është linjëzimi me politikën e jashtme të BE. Në rast se ne biem ndesh me politikat e tyre të jashtme, atëherë ne nuk plotësojmë një kusht.”



