Pas protestës së djeshme në Tiranë, ku mijëra qytetarë kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, mbrëmjen e sotme pritet të zhvillohet një tjetër tubim me pjesëmarrje edhe më të madhe.
Organizatorët paralajmërojnë se protestës do t’i bashkohen edhe shumë shqiptarë nga diaspora, ndërsa në rrjetet sociale janë publikuar pamje të kolonave të automjeteve që udhëtojnë drejt Shqipërisë nga vende të ndryshme të Europës.
Protesta e djeshme u shoqërua me një marshim disa orësh në rrugët e kryeqytetit, i cili përfundoi në sheshin “Skënderbej”. Kjo ishte protesta e 20-të radhazi në kuadër të lëvizjes kundër qeverisë.
Prej tre javësh, qytetarët mblidhen çdo mbrëmje para Kryeministrisë, ku mbajnë fjalime dhe kërkojnë largimin e kryeministrit. Ajo që nisi si reagim ndaj zhvillimeve në Zvërnec, është shndërruar në një lëvizje më të gjerë proteste dhe pakënaqësie ndaj qeverisë.



