Shtatë konkurrentët që pretendojnë të marrin drejtimin e BKH-së kalojnë fazën e testit fizik. Ndërsa kanë kaluar nëpër etapat e Sportistëve profesionistë si sprint e vrapim, ata do t’i nënshtrohen edhe Vetting-ut e po ashtu Makinës së të Vërtetës.
Pompa barku, pompa krahu, sprint 300 metra dhe vrapim prej 2.4 km ishin etapat e testit fizik që kaluan mëngjesin e të enjtes 7 garuesit për t’u bërë drejtues të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Ky testim edhe pse i paralajmëruar për këtë të premte më 11 korrik u mbajt një ditë më parë në ambientet e repartit RENEA.
Sipas SPAK gjithçka është bërë nën mbikëqyrjen edhe të një ekipi mjekësor si dhe të partnerëve ndërkombëtarë.
Kjo garë është e ndarë në shtatë faza, ndërsa pritet që në fazën e tretë konkurrentët t’i nënshtrohen etapës së krijimit të esesë si dhe arsyetimit logjik.
Sipas dokumenteve që emisioni “Fact Check” ka mundur të shikojë pikët sipas etapave janë ndarë në këtë formë:
16 pikë testi fizik, 30 eseja, 30 arsyetimi logjik dhe 30 intervista e strukturuar. Kush arrin pikët maksimale prej 106 do t’i nënshtrohet më pas dy fazave finale. Asaj të poligrafit makinës së të vërtetës dhe Vetting.



