
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka identifikuar dy ngarkesa me 53.1 ton mish importi, i cili rezultonte i kontaminuar me salmonelë dhe origjina ishte nga Brazili, me destinacion tregun shqiptar.
Ky identifikim është një veprim i radhës i AKU në kuadër të kontrollit të sigurisë ushqimore në importin e çdo ngarkese të produkteve shtazore në Shqipëri.
"Veç këtyre dy rasteve, gjatë vitit 2018 AKU ka identifikuar dhe kthyer mbrapa edhe 78.1 ton mish në kuadër të kontrolleve të çdo ngarkesë me mish të importuar nga Brazili. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kontrollon dhe realizon analizat e çdo ngarkese mishi nga Brazili për të garantuar në mënyrë të plotë sigurinë ushqimore të produkteve që importohen", thuhet në njoftim.
AKU bën me dije se nga janari e deri më sot janë analizuar mostrat e 178 ngarkesave, në total 4700 ton (mish derri, mish gjedhi dhe mish pule) nga të cilat kanë dalë jo konform 5 ngarkesa, 130 ton prej tyre.
AKU garanton se siguria e produkteve të importuara, që qarkullojnë në tregun shqiptar, është e plotë.



