
Ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së nuk arritën dje dakordësinë për t’i hapur negociatat për anëtarësim Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. “Stacioni” i radhës për këtë çështje është takimi i liderëve të BE-së të premten, më datë 18 tetor. Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, tha se nuk do të fajësojë askënd për këtë, por përsëriti disa herë se “ky nuk është një moment krenarie për Europën”.
Komisioni Europian e ka rekomanduar dy herë hapjen e negociatave për dy vendet. Ata që mbështesin zgjerimin e shohin një hap të tillë si një vendim që do të garantonte stabilitet në rajon dhe do të mbante nën kontroll influencën e vendeve si Rusia, Kina dhe Turqia.
Nga nga vendet që kanë kundërshtuar hapjen e negociatave me dy vendet është Franca. E bindur se i gjithë procesi i pranimit ka nevojë për reformim, Franca nuk ka qenë në favor të dy vendeve ballkanike.
"Franca ishte i vetmi vend që kundërshtonte”, ka thënë një diplomat për Politico.eu. Një diplomat tjetër akuzoi Parisin se "veproi sikur të ishim në një botë pas Brexitit, ku ata mendojnë se mund t'i imponojnë të gjitha”.
Pasi u përpoq të arrinte një marrëveshje, Presidenca finlandeze e Këshillit të BE paraqiti një dokument në mbledhje, ku thuhej se ministrat "do t'i kthehen kësaj çështjeje pas Këshillit Evropian".
Megjithatë, sipas dy diplomatëve, Parisi e hodhi poshtë këtë tekst, i cili tani do t'i përcillet Presidentit të Këshillit, Donald Tusk. Sipas disa diplomatëve, Franca do të parashikojë buxhetin vetëm kur të jetë e qartë se çfarë mund të marrë në këmbim të dosjeve të tjera.
Një përpjekje e Finlandës për t’i ndarë të dy vendet në këtë pikë nuk arriti të gjente mbështetje.
Tensionet janë shtuar që prej të premtes, kur, në një takim të ambasadorëve të BE-së, Franca i bëri të qarta synimet e saj. Një zyrtar i pallatit Elysée tha se Franca nuk do të lëshojë një "sinjal të keq për rajonin", por "duhen më shumë reforma nga këto dy vende".
Ajo që dëshiron Parisi është të rishikojë vetë "procesin e zgjerimit ... para hapjes së tij, sepse procesi i negociatave është shumë legal dhe burokratik, ne hapim dhe mbyllim kapitujt një nga një, pa një shikim të vërtetë", shtoi zyrtari.
Austria është një nga vendet që ka dalë në mbështetje të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ndërsa Holanda ka qenë kundër. Ministri holandez, Stef Blok, në mënyrë të veçantë ka kërkuar përshpejtimin e luftës kundër korrupsionit në Shqipëri.



