
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i sheh largimet e 7 ministrave të kabinetit Rama si të pamjaftueshme. Në një prononcim për mediat sot në mesditë, Basha tha se ministrat e larguar duhet të dalin para drejtësisë. Ndërsa në lidhje me ministrat e rinj që bëhen pjesë e qeverisë, Basha shprehet se janë të panjohur dhe të paaftë.
“Ai e ka më të lehtë kështu që vendimet që merr bashkë me kriminelët t’i vulosin disa njerëz pa përgjegjësi politike. Janë njerëz të zhytur në afera korruptive. Sot pamë një grup njerëzish që nuk kanë asnjë rol përveç se duartrokasin vendimet e Edi Ramës, që i shërbejnë vetëm atij. Pasi braktisi për 5 vite me radhë, sot Rama u tall me shqiptarët, duke treguar se ai vendos kë të dojë dhe askush s’e ndalon. Ai mund të vendoste shoferin dhe parukieren e tij. Largimi i tyre nuk mjafton, ata duhet të dalin para drejtësisë. Ai dëshmoi se nuk ka nevojë për ministra, por se qeveris direkt me oligarkët dhe krimin. Ka qeverisur me ta në 5 vite, në këtë kuptim, ai i ka sjellë shqiptarëve disa emra të paaftë, të panjohur”, tha Basha.



