
Policia e Korçës ka goditur një rast të shpërndarjes së drogave të forta, në doza të vogla.
Gjatë aksionit, blutë e Korçës, bënë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit Spartak Çardhaku, 32 vjeç (i dënuar më parë për veprën “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”) dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin O. K., 40 vjeç, banues në Korçë.
Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, se në lagjen nr. 17, Korçë, një shtetas shpërndante lëndë narkotike të forta, janë organizuar shërbimet dhe kanë bërë të mundur lokalizimin e shtetasit Spartak Çardhaku.
Ky shtetas, në banesën e tij, i kishte shitur shtetasit O. K., disa doza me lëndë të dyshuar narkotike heroinë, i cili sapo ka konstatuar ndërhyrjen e shërbimeve të policisë ka tentuar të largohet me vrap, duke mos iu bindur urdhrit të tyre për të ndaluar, por më pas u neutralizua.
Nga veprimet e mëtejshme procedurale, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Spartak Çardhaku, u gjetën 23 doza me lëndë të dyshuar narkotike heroinë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.



