
Një i mitur, G.M 17-vjeç, është arrestuar në Tiranë pasi u kap në flagrancë duke transportuar emigrantë të paligjshëm kundrejt pagesës.
Burimet zyrtare bëjnë me dije se në pranga ka rënë dhe një 19-vjeçare G.B, e cila dyshohet se u siguronte mënyra kontakti të miturit, një personi të 3-të të identifikuar me inicialet A.Sh 23-vjeç i cili është shpallur në kërkim, me emigrantët e paligjshëm.
“Shtetasi G. M. është kapur në flagrancë në rrugën “Allaman Dervishi”, Tiranë, duke transportuar me një automjet, të cilin e drejtonte pa lejen përkatëse, emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.
Shtetasja G. B. dyshohet se siguronte lidhjen midis shtetasve G. M., A. Sh. dhe emigrantëve.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të mjetit, u gjet dhe u sekuestrua një sasi me lëndë narkotike kokainë.”, shkruajnë autoritetet.
Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.



