
Shteti grek ka paditur gjigantin farmaceutik zvicerano-amerikan “Novartis” duke kërkuar një kompensim që kap vlerën 214 milionë euro, njoftoi të premten ministri i Shëndetësisë Thanos Plevris.
Në një deklaratë, Plevris tha se shteti kërkon kompensim për dëmin që ka pësuar nga veprimet e Novartis.
“Shteti grek rezervon të drejtën të kërkojë kompensim për dëmet e pësuara”, tha ministri.
Në vitet e fundit, Novartis ka derdhur 1.3 miliardë dollarë në SHBA për të zgjidhur çështjen e akuzave për ofrim ryshfetesh ndaj mjekëve dhe mbështetje të paligjshme të bashkëpagesës për pacientët e Medicare për të rritur shitjet e barnave.
Kujtojmë që 4 vjet më parë një skandal i përmasave të mëdha shpërtheu në Greqi, ku dy ish-kryeministra dhe 8 ish-ministra u dyshuan se kanë marrë ryshfet nga kompania “Novartis”, duke i shkaktuar një dëm 2 miliardë euro shtetit. Dyshimet ishin se kompania paguante ryshfete për politikanët e rëndësishëm grek për të kushtëzuar tregun e barnave. Ishte një hetim i prokurorisë greke për praktikat e firmës zvicerane të barnave që zbuloi skandalin. Sipas hetimeve ryshfetet paguheshin për të rritur çmimin e ilaçeve të “Novartis” dhe për të marrë mënyra preferenciale për autorizimin e produkteve të saj.
Mes emrave të njohur të politikanëve të dyshuar si të implikuar ishin dy ish-kryeministrat Antonis Samaras dhe Panagiotos Pikramenos, Komisionari Evropian për Migracionet Dimitris Avramopoulos (i cili ishte Ministër i Shëndetësisë në Greqi nga viti 2006 deri në 2009), ish-zëvendëskryeministri socialist Evangelos Venizèlos dhe guvernator i tanishëm i Bankës së Greqisë, Jansis Stournàras. Atëkohë agjencia greke e lajmeve AMNA raportonte se në hetime përfshihej edhe një lidhje e mundshme e eksportit të ilaçeve të “Novartis” në Shqipëri.



