
Mustafa Nano në emisionin e tij “Arnautistan” në MCN TV, i bën një analizë vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila refuzoi shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, duke rrëzuar kësisoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ai thotë se edhe pse Ilir Meta ka qenë anti-President dhe modeli jo i duhur, pasi foli Kushtetuesja, duhet respektuar si kreu i shtetit.
Monologu i Nanos
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese po diskutohet në mënyrë të ethshme. Disa, njerëzit e Metës, janë kapur nga ngazëllimi, e pjesa tjetër, është fjala për ata që e morën nismën për shkarkimin e Metës në Kuvend, janë të dëshpëruar. Kuvendi e humbi këtë betejë, dhe për ata që e iniciuan, dita kur Gjykata Kushtetuese vendosi ashtu si vendosi, nuk është nga më të bukurat. Por bëjnë mirë të bien në paqe me veten. Ok, mund ta komentojnë sa të duan, janë të lirë të bëjnë komente, por ky është një vendim përfundimtar, i padiskutueshëm. Pikë. Ilir Meta do jetë President deri në ditën e fundit të mandatit të tij presidencial. E duhet respektuar si President.
Por duke lënë mënjanë reagimet e palëve, duhet thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është një medalje me dy anë. Njëra anë është që, dhe këtu po jam edhe unë mendimin tim, ky vendim nuk vendosi drejtësi. Sipas meje, Gjykata Kushtetuese i kishte të gjithë argumentet në dorë për ta shkarkuar Presidentin. Ky i fundit e ka tradhtuar institucionin, që është caktuar të drejtojë. Ai ka marrë pjesë aktive në politikë gjatë gjithë kohës, madje shpesh herë ka qenë më ekstremisti në kampin opozitar, duke folur për prerje duarsh e për përdorim sëpatash, sfurqesh, etj. Ka qenë me dhjetëra herë në studio televizive, vetëm te e mija nuk ka qenë, e jo për të thënë se palët duhet të kenë kujdes, duhet të përdorin ndaj njëra tjetrës një gjuhë elegante, duhet të bashkëpunojnë, duhet të mendojnë për interesin kombëtar, etj., etj., por për të nxjerrë zjarr nga goja kundër mazhorancës, për të ekspozuar marrëdhënien e vështirë të tijën me SHBA-të (le të më vrasin, tha në një rast, por le ta bëjnë këtë te Mali me Gropa). Ilir Meta nuk ka qenë President Republike. Ai ka qenë modeli se si nuk duhet të jetë një President. Ai ka qenë anti-Presidenti i ynë i Republikës. Shkurt, ai e kishte hak shkarkimin.
Por ai nuk u shkarkua, dhe këtu po kap anën tjetër të medaljes. Gjykata Kushtetuese bëri mirë që nuk e shkarkoi. Së pari, sepse vendimi për shkarkimin e Metës do t’i jepte këtij të fundit, e pas tij Berishës, një casus belli kundër regjimit (ku bën pjesë edhe Gjykata Kushtetuese), i cili, kështu do lexohej, edhe një institucion që nuk e pati nën kontroll, e shkarkoi. Dhe me këtë do krijonim një problem. Nëse marrim parasysh që mandati presidencial është duke mbaruar, edhe pak muaj kanë mbetur, do t’i binte se do prishnim bucela për të bërë kënaçe. Apo do prishnim shtëpi e do bënim kasolle. Së dyti, Gjykata Kushtetuese sapo është ngritur, si një produkt i reformës në drejtësi. Neve na duhet që Gjykata Kushtetuese jo vetëm të jetë e pavarur dhe e paanshme, por edhe të ngjajë si e tillë. Të ngjajë për të gjithë si e tillë. Më mirë të mos jetë e pavarur e të ngjajë si e tillë, sesa të jetë e pavarur e të ngjajë në shërbim të një pale. Në këtë kuptim, vendimi që u mor, mund të ketë lënë kokëmënjanë socialistët (të cilët të kënaqur janë gjithsesi, pasi janë në pushtet), por ka përcjellë te demokratët idenë se Gjykata Kushtetuese është një institucion i besueshëm, e nuk i shërben një pale. Nga kjo histori, Gjykata Kushtetuese ndoshta nuk del mirë po ta matim me metër profesional, por del me kredibilitet publik. Dhe kjo e fundit i duhet shumë Gjykatës Kushtetuese. Dhe një Gjykatë Kushtetuese e besueshme na duhet të gjithëve.
Le ta pranojmë të qetë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese. Në fund të fundit kemi një Gjykatë Kushtetuese që merr vendime dhe u jep fund diskutimeve. Dhe e kemi me besueshmëri publike. Të gjithë besojnë te ky institucion.



