
Historiania Enriketa Papa propozimin e opozitës për hapjen e dosjeve, e sheh si nismë për të çuar jo vetëm një draft, por një paketë, duke penalizuar edhe pjesën e sigurimit, të bashkëpunëtorëve dhe njerëzve që e kanë drejtuar Sigurimin e Shtetit.
Në emisionin “Arnautistan” të Mustafa Nanos, Papa tha se të treja draftet e opozitës përfshijnë jo vetëm hapjen e dosjeve, por gjithë informacionin e klasifikuar, që kërkojnë nisma ligjore për tu deklasifikuar.
Drafti tjetër ka të bëjë me simbolet e komunizmit, dënimin e tyre. E treta është paketa e dekomunistizimit që ka dhe aspektin edukues. Pastaj vjen pjesa e Partisë Socialiste që mori shkas nga debati i fortë me Presidentin dhe kaloi dje në Komisionin e Ligjeve. Janë një sërë nismash. Më serioze nisma e PS? Të shohim se çfarë do finalizojë Parlamenti.
Socialistët po i shoh shumë entuziastë me pjesën e Presidentit. Por duhet parë finalizimi i drafteve dhe se sa do të çedojë ndaj kërkesave të opozitës. Procesi është parë për përdorim politik.
E pyetur nëse e përkrah idenë e hapjes së të gjitha dosjeve, shtoi se shoqëria shqiptare ka nevojë për një proces që të përballet me diktaturën dhe se hera-herës është bërë gjueti shtrigash.
Nuk ka nevojë për tu përballur në mënyrë inatçore mes palëve, por për t’u edukuar, për të kuptuar. Nuk jemi përballur realisht. Kemi nevojë të njohim se kush janë viktimat, ka njerëz që nuk iu janë gjetur eshtrat.
Ne kemi ngecur, nuk kemi ditur dhe nuk kemi dashur të përballemi me pasojat e komunizmit. Njeriu i ri që u ndërtua për 45 vjet, e ke dhe sot.
Historia e Shqipërisë është lëndë me zgjedhje në klasën e 12-të. Një nga rreziqet që të përballesh me të shkuarën, është harresa. Çfarë kemi bërë si strategji që të përballemi me të kaluarën?



