Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka qenë mesditën e sotme në Urën e Ibrit në Mitrovicë. Sveçla ka deklaruar kapacitetet e duhura për të ofruar siguri për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore, të cilat janë planifikuar më 18 dhjetor.
“Situata është e qetë. Kam ardhur për t’i koordinuar punët. E respektojmë qëndrimin e ambasadorit amerikan, por janë institucionet ato që vlerësojnë aspektin e mbajtjes së zgjedhjeve”, ka thënë Sveçla.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Veri janë shpallur pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës. Kujtojmë që dje u shënuan incidente, ku pati shpërthime të njëpasnjëshme në komunat e Veriut. Ndërsa ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, tha sot se nuk ka kushte të duhura për t’u mbajtur zgjedhjet.



