
Kim Yo Jong, motra e liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, kritikoi praninë e një nëndetëseje bërthamore amerikane në portin e Koresë së Jugut të Busan, njoftoi të martën media shtetërore KCNA.
Kim e quajti një “provë të ambicies së SHBA-së për të nxjerrë në pah asetet e saj strategjike bërthamore, të tregojë forcën e saj dhe të rrisë kërcënimet”.
USS Vermont mbërriti në një bazë detare në Busan të hënën për t’u rifurnizuar dhe për të lejuar anëtarët e ekuipazhit të pushojnë, tha agjencia e lajmeve Yonhap duke cituar marinën e Koresë së Jugut.
Komentet e Kim erdhën pasi ministrat e Jashtëm të Koresë së Jugut, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Japonisë mbajtën një takim të hënën në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Ata shprehën shqetësime lidhur me zbulimin e fundit nga Koreja e Veriut të objekteve të saj të pasurimit të uraniumit dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm ushtarak “të paligjshëm” me Rusinë si dhe ranë dakord të punojnë drejt realizimit të një samiti trepalësh brenda këtij viti, tha në një deklaratë ministria e Jashtme e Koresë së Jugut.



