Politologu Roland Bejko për vrasjen e 14-vjeçari në Tiranë, pranë shkollës “Fan Noli” thotë se ka dështuar familja shqiptare, shkolla, institucionet e shtetit, komunitetit, shoqëria dhe është vënë në pikëpyetje dhe vetë sistemi.
Duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV, ai deklaroi se ky lloj mentaliteti dhe filozofie e së keqes, nuk prodhohet në një ditë.
Bejko tha se shoqëria ofron modele të gabuara tek fëmijët dhe se problem është mungesa e komunikimit të shëndetshëm mes prindërve, mësuesve dhe shoqërisë.
Sipas tij, njeriu nga natyra është i lindur i keq, por shoqëria ka për detyrë që ta kthejë në një qenie më të butë shoqërore, dhe se instinkti nuk duhet të dominojë mbi arsyen njerëzore.
Keqkuptimi me lirinë, ka bërë që të lindë ky lloj monstre, njeriu kriminel. Prindi nuk e njeh më rolin e tij.
Shumë prindër që janë në punën e tyre, të ndershëm, mundohen t'i rrisin fëmijët me parime, por në sytë e fëmijëve janë të zvogëluar. Se të pasurit i bullizojnë të varfrit.
Prindi mendon se ka fëmijën më të mirë në botë, por kur shkon në dhomën e gjumit, fëmija merr celularin dhe aty fillon.
Një prind duhet të ndërtojë pedagogjinë e tij me fëmijën.
Sot në rrjetet sociale qarkullon një lojë në TikTok ku shoku shokut i bën pyetje, çfarë je anglez apo spanjoll.
Nëse thua që nuk je as anglez as spanjoll, ai ta kthen “je gej” dhe këtu lind sherri.
Kur mësuesi i tregon vërejtje, fëmija zihet me mësuesin. Prindi i thotë jo s’ka mundësi, por fëmija ndryshe është në shtëpi dhe ndryshe në shkollë.
Psikologët janë të paaftë të menaxhojnë një çështje të fëmijëve, por ka raste kur ata kanë nevojë vetë për psikologë.
Rëndësi ka besimi, kur ti i thyen besimin fëmijës, ai nuk shkon më te psikologu. Nuk duhen treguar dobësitë e fëmijës, duke e dekonspiruar.
Problem është komunikimi i shëndetshëm që mungon, mes prindërve, mësuesve dhe shoqërisë.
Prindi duhet të vendosë autoritetin e tij. Media te fëmijët promovon modelin e rremë, VIP-a të gabuar.
Fëmija ka model të fortin e lagjes, atë kriminelin që i ka ikur policit.
Sot njerëzit nuk lexojnë më. Rëndësi ka vetëm vaniteti dhe problemi me paranë.
Lidhur me kërkesën e opozitës për dorëheqjen e ministrit të Brendshëm dhe ministres së Arsimit, Bejko tha se nëse do ishte larguar ministrja, drejtoresha, roja apo psikologia e shkollës, do njihej institucioni i përgjegjësisë dhe se aktualisht faji shpërndahet.
Por sipas tij, institucioni i përgjegjësisë nuk njihet.
Bejko shtoi se kemi krijuar njeriun monstër, i cili është i paparashikueshëm dhe i pakontrollueshëm dhe se ngjarja e një dite më parë nuk do të jetë as e para dhe as e fundit.



