
Një operacion i policisë së Tiranës i koduar “Cryptocurrency”, ka sekuestruar pajisje për prodhimin e kriptomonedhave, kanabis sativa dhe municion luftarak, duke vënë në pranga një person.
Efektivët e komisariatit nr.2 vunë në pranga S. E., 28 vjeç, banues në rrugën “Frosina Plaku”, Tiranë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij në rrugën “Frosina Plaku”, shërbimet e policisë kanë gjetur pajisje për prodhimin e kriptomonedhave dixhitale. Në vijim të kontrollit, në ambiente të ndryshme të banesës, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit cannabis sativa dhe municion luftarak.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pajisje për prodhimin e kriptomonedhave dixhitale, sasi lënde e dyshuar narkotike e kanabis sativa, dy peshore elektronike, municion luftarak, një aparat celular, 191.700 lekë të rinj dhe 90 euro.
Ndaj të ndaluarit materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për ndjekje të mëtejshme.



