Një fëmijë që u kafshua nga një lakuriq nate është shtruar në spital me një "rast të rrallë njerëzor të tërbimit ", zbuloi Departamenti i Shëndetit i Shtetit në Teksas .
Zyrtarët thanë se të gjithë ata që kanë rënë në kontakt me fëmijën e infektuar janë kontaktuar nga personeli i shëndetit publik. U raportua se zyrtarët po përpiqeshin të vlerësonin nëse është nevoja për vaksina kundër tërbimit pas ekspozimit.
Ky është rasti i parë i tërbimit te njerëzit në Teksas që nga viti 2009.
Identiteti i fëmijës, mosha dhe detajet se si i kafshoi lakuriq nuk janë bërë të ditur nga zyrtarët. Por u raportua se fëmija është banor i Medina County dhe po trajtohet në Teksas.
Zyrtarët gjithashtu nuk zbuluan ndonjë informacion shtesë për gjendjen e fëmijës, kështu që simptomat e tij mbeten të paqarta.
Sipas CDC, virusi i tërbimit infekton sistemin nervor qendror dhe nëse një personi nuk i jepet trajtimi i duhur dhe kujdesi mjekësor në atë kohë, virusi mund të dëmtojë trurin që shpesh rezulton me vdekje.
CDC gjithashtu përmend se në SHBA, virusi i tërbimit mbartet kryesisht nga lakuriqët e natës, rakunët, qelbësit dhe dhelprat. Megjithatë, në pjesë të tjera të botës, gjithashtu dhe qentë mbartin virusin e tërbimit dhe shumica e vdekjeve nga tërbimi ndodhin për shkak të kafshimit të qenve. Sipas OBSH-së, qentë kontribuojnë deri në 99 për qind të të gjitha transmetimeve të virusit të tërbimit te njerëzit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë në faqen e saj se dhjetëra mijëra vdekje ndodhin çdo vit, kryesisht në Azi dhe Afrikë, për shkak të virusit të tërbimit. Në nivel global, tërbimi shkakton një kosto të vlerësuar prej 8.6 miliardë dollarësh për ekonominë në vit.



