
Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ditë më parë pezulloi nga detyra Rektorin e Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni dhe i kërkon Presidentit Ilir Meta zyrtarisht shkarkimin e tij. Por vetë Mynyr Koni, përmes një reagimi publik, shprehet se një vendim të tillë e priste pas atyre që ai i cilëson si sulme të qëllimshme kundër tij nga qeveria. Fati i tij tashmë është në dorë të Presidentit nëse do ta shkarkojë. Por Koni thotë se është gati që të japë shpjegime para kreut të shtetit për të shpjeguar të vërtetën e tij. Ai thotë se një gjë të tillë e priste “pas gjithë atyre sulmeve të pashembullta që prej shumë kohësh, janë adresuar ndaj personit tim”, ndërsa shton se para se të merrte këtë vendim,Shahini duhet minimalisht ta kishte pritur në një takim.
Ai thotë ndër të tjera se pezullimi i tij është kërkur nga qeveria e Ramës, prandaj i kërkon Presidentit të Republikës së Shqipërisë, “që me seriozitetin dhe gjakftohtësinë që e karakterizon, ta shikojë me shumë kujdes këtë rast, jo për Mynyr Konin, por për Universitetin e Tiranës, për vetë rëndësinë, historinë dhe domethënien që ka ai në arsimin e lartë në vend”.
Në një letër të stërgjatur, ish rektori Koni, shpreh gadishmërinë e tij për çdo sqarim me institucionin e Presidentit në lidhje me këtë çështje dhe pohon gadishmërinë e tij për të vënë në dispozicion çdo dokument zyrtar që disponon .



