Operatorët ajrorë që kryejnë fluturime drejt Milanos, Romës dhe Bolonjës kanë anuluar sot fluturimet e tyre drejt Italisë. Kjo lëvizje vjen, pasi qeveria italiane vendosi shpalljen e Lombardisë si zonë karantine, duke ndaluar lëvizjen deri në datën 3 prill.
Duke iu referuar faqes zyrtare të aeroportit të Rinasit, të paktën 6 fluturime janë anuluar. I pari është fluturimi drejt Romës i planifikuar në 5 e 30 të mëngjesit nga “Air Albania”. Po ky operator ka anuluar dhe fluturimin që është parashikuar për në Milano në orën 11 e 15, si dhe atë për në Bolonjë në orën 18 e 20.
Qeveria italiane miratoi të shtunën në mbrëmje dekretin që bllokon lëvizjen në rajonin verior të Lombardisë, pasi po përpiqet të frenojë përhapjen e koronavirusit. Dekreti ka zgjeruar zonat e karantinës, të ashtuquajturat “zona të kuqe”, duke i urdhëruar njerëzit të mos hyjnë ose të largohen nga rajoni.
Nga Tirana drejt Italisë dhe anasjelltas fluturojnë çdo vit rreth 1.7 milionë pasagjerë, pjesa më e madhe e të cilëve u drejtohen rajonit verior, kryesisht Milanos.



