
Unioni i Transportit Publik u tërhoq këtë të hënë nga paralajmërimi se prej 1 Marsit nuk do të ofronin më shërbim për qytetarët për shkak të krizës çmimeve. Kreu i Unionit të transporteve Dashnor Mema në qnjë lidhqje skype në studion e lajmeve MCN Live deklaroi se ky vendim erdhi pas disa premtimeve të bëra pas një takimi të kryer me instancat përgjegjëse.
Ai tha se ky sektor ka nevojë për mbështetje financiare dhe nëse nuk do të ofrohen subvencione, atëherë do të shihet e detyrueshme rritja e çmimit të biletës me 10-20%, ndërsa shtoi se aktualisht vetëm 70% e flotës është funksionale.
Është një sektor mjaft etik për qytetarët sepse është e vetmja mundësi për të shkuar në destinacione. Natyrisht që bëmë një paralajmërim se nuk do dilnin abonetë në treg sepse ne si operatorë nuk do mund ti shërbenim dot qytetarëve për të gjithë muajin. Pas këtij paralajmërimi duke parë dhe neglizhencën e instancave, ata na thirrën dhe u ulëm në tavolinë për të biseduar. Ne kemi kërkuar paketat tona ekonomike duke parë dhe rritjen e çmimit të naftës në mënyrë të vazhdueshme dhe duke qenë se varemi drejtpërdrejt prej saj pamë një neglizhencë totale nga instancat dhe s’mund të funksiononim normalisht si transport. Por qytetarët do të ishin në kolaps nëse nuk do nxirrnim abonetë.
Ndërsa i pyetur se në çfarë kushtet jemi aktualisht dhe si mund të zgjidhet ky problem, Mema deklaroi se presin që instancat përgjegjëse të marrin në konsideratë kërkesat e tyre, pasi në të kundërt do jenë të detyruar të rrisin cmimin e biletës.
Kemi dërguar një shkresë të fundit me kërkesat tona që duhet të merren parasysh sepse përndryshe do të ketë një kapitullim të këtij sektori dhe nuk do ofrojmë dot shërbim dinjitoz dhe të mos rrisim çmimin e biletës. Padyshim që dhe kjo mundësi do të merret në konsideratë kur instancat përgjegjëse nuk marrin përgjegjësi. Ne operojmë prej 20 vitesh si operatorë privat. Aktualisht bileta është 40 lekë ku përfshihet dhe tvsh dhe kosto e blerjes, natyrisht kemi bërë studim se sa duhet të jetë çmimi por deri tani se kemi kërkuar këtë rritje sepse dhe qytetarët vijnë nga një krizë pandemie dhe nuk mund ta përballojnë dot, por kemi parashikuar rritjen e çmimit me 10-20% më shumë. Aboneja është një biletë e pajtimit mujor dhe si çdo vend e botës duhet të kompensohet por ne s’marrim asnjë kompensim. Ndryshe nga subjektet e tjera private rritja e biletës bëhet nga këshilli bashkiak dhe në kohën që kjo nuk realizohet ne do dalim nga tregu.
Ndërsa sa i përket cilësisë së dobët të transportit se nuk plotëson standardet teksa shohim dhe urbanë të tej mbushur, Mema tha se kushtet mund mund të plotësohen, por fillimisht kanë nevojë për një mbështetje ekonomike, infrastrukturë dhe korsi dedikuar transportit publik.
Patjetër që dhe ne duhet të plotësojmë standardet e larta në shërbim por na duhet dhe mbështetje si në çdo vend tjetër në Evropë. Ne po flasim që nuk jemi në gjende të operojmë me këto mjete që kemi jo për flotë të re. Natyrisht që qytetarët presin një shërbim më të mirë por duhet dhe një infrastrukturë mbështetje financiare që të përmirësohet edhe më shumë trasnporti publik. Të tej mbushur jemi vetëm në pikun e lëvizjes kur janë dhe studentët dhe punëtorët për të shkuar në punë, si dhe pasdite kur kthehen nga puna. Po ti vësh re gjatë ditës janë nën kapacitet. Mund të evitohet por duhet infrastruktura, korsitë e veta, dmth duhet të krijohet një respekt më i madh ndaj transportit.



