
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, përmes një komunikimi në rrjete sociale, ka bërë të ditur se ka biseduar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Gjatë kësaj bisede, ata janë dakorduar për takimin e radhës në kuadër të iniciativës “Ballkani i Hapur” që pritet të mbahet në Ohër gjatë muajit qershor.
Kemi rënë dakord që në kuadër të iniciativës ‘Ballkani i Hapur’ në fillim të shtatorit në Beograd të organizojmë një panair turizmi, verërave dhe të specialiteteve të kuzhinës nga rajoni. Ne kemi planifikuar gjithashtu një takim në Ohër në qershor për të nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim në kulturë e turizëm.
Ai ka theksuar se “po vazhdojmë të punojmë në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike për të mirën e popujve tanë”.
Ndryshe më 21 dhjetor të vitit të kaluar në Tiranë është mbajtur takimi i Ballkanit të Hapur me nënshkrimin e 5 marrëveshjeve mes tri vendeve të kësaj nisme, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Iniciativa e “Ballkanit të Hapur”, u themelua më 29 korrik të vitit 2021.



