Një muaj nga inaugurimi, mëngjesin e sotëm ka nisur futja e familjeve të para në banesat e reja që u ngritën në kuadër të rindërtimit në Laç. Që prej ditës së djeshme ka nisur dhënia e çelësave për familjet e para që do të jenë banorët e bllokut të ri të pallateve prej 522 banesash.
MCN Live ka marrë disa prononcime nga banorët, ku njëri prej tyre shprehet:
Kam përfituar banesë 3 plus 1. Jam shumë i kënaqur”.
Një tjetër qytetar falënderon kryeministrin Edi Rama dhe presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan. Ndërkaq një banore, duke folur nga banesa e saj thotë:
Dje e morëm çelësin, sot po pastrojmë shtëpinë. Jam shumë e kënaqur, kam përfituar një apartament 2 plus 1. Njeriu ka qejf të jetojë në shtëpi të vet”.
Bëhet me dije se brenda ditës së sotme do përfundojë shpërndarja e apartamenteve në gjithë lagjen e re në Laç. Një marrëveshje do bëhet për lidhjen për energjinë elektrike. Banorëve u janë hequr disa shpenzime sa i përket kuzhinës, ku janë montuar kuzhinat nga investitorët dhe qeveria turke.
Ndërkaq do të lidhen edhe kontratat për ujin e pijshëm dhe energjinë elektrike, procedurë që pritet të përfundojë brenda një kohe të shkurtër
Janë punonjësit e bashkisë që po merren me mirëmbajtjen e mjediseve të jashtme. Pritet të caktohen administratorë në të gjitha shkallët e banimit me qëllim që të mirëmbahen në vazhdimësi. Procedura pritet të bëhet nga bashkia e Kurbinit me pëlqimin e vetë banorëve.



