
Mijëra njerëz protestuan në qendër të Londrës të martën kundër vizitës shtetërore të presidentit amerikan, Donald Trump, në Britani, megjithatë numri i tyre ishte shumë më i vogël se vitin e kaluar.
Protestuesit thërrsnin, goditnin daullet dhe mbanin në duar parrulla në atë që organizatorët e quajtën "Karnavali i Rezistencës" në Trafalgar Square, ndërkohë që kryeministrja Theresa May u takua me Trump-in në rezidencën e saj në Downing Street.
Udhëheqësi i Partisë Laburiste të Britanisë, Jeremy Corbyn, ishte në krye të këtij tubimi, duke e quajtur atë "mishërimin e vërtetë të një shoqërie demokratike".
Ndër udhëheqësit e huaj, Trump është ai që pëlqehet më pak nga britanikët, me vetëm 21% të njerëzve të anketuar nga YouGov që kanë një mendim pozitiv për të. Ndër gratë, kjo shifër bie në 14%.
Toni i protestës u ngrit nga një statujë e madhe e Trumpit ulur në një tualet të artë me pantallonat nëpër këmbë. Njerëzit mbanin pankarta që lexonin "Mbani duart e tua të vogla larg nga Mbretëresha", "Mbylleni në kullë" dhe "Lironi Melaninë!"
Linda Coplestone, një protestuese 64-vjeçare, mësuese në pension nga Londra, tha se po protestonte kundër mosveprimit nga Trump për ndryshimin e klimës.
"Ne kemi shkatërruar planetin. Ai ka një zë të fuqishëm dhe mund të bëjë diçka për këtë. Ai zgjedh të mos e bëjë", tha ajo.



