Dy figura të Partisë Demokratike nuk kanë qenë pjesë e protestës së ditë së sotme të organizuar nga opozita. Ato janë ish-ministrja e Integrimit Majlinda Bregu dhe ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, të cilat munguan në shesh.
Bregu, nuk ndodhet në Shqipëri, por në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për një vizitë zyrtare dhe ende nuk është kthyer në atdhe. Për këtë aryse, ajo e ka pasur të pamundur për të qenë pjesë e protestës së opozitës.
Ndërsa sa i përket Topallit, nuk është sekret tashmë, që ish-Kryetarja e Kuvendit është një nga zërat më kritikë ndaj kryetarit Basha sa i përket drejtimit të opozitës.
Ajo nuk është parë në sheshin përballë Kryeministrisë, apo të ketë reaguar siç bën jo pak herë në rrjetet sociale, apo në media për protestën, duke qenë ende një figurë e rëndësishme brenda selisë blu.
Vetë Topalli nuk ka dhënë asnjë sqarim se ku ndodhet, edhe pse është kontaktuar nga mediat lidhur me një prononcim të saj. Deputeti Arben Ristani i pyetur nga gazetarët për mungesën e deputeteve në protestë ka deklaruar se nuk e ka vënë re. “Nuk e vura re, unë isha në mes të njerëzve, shumë nga kolegët ishin” tha ai.



