Qeveria gjermane tha të mërkurën se ka rënë dakord të shtetëzojë kompaninë më të madhe importuese të gazit në vend, Uniper, duke zgjeruar ndërhyrjen shtetërore në industri për të parandaluar mungesën e energjisë si pasojë e luftës në Ukrainë.
Marrëveshja me Uniper bazohet në një paketë shpëtimi të rënë dakord në muajin korrik dhe përmban një rritje kapitali prej 8 miliardë euro që qeveria do të financojë.
Si pjesë e marrëveshjes, qeveria do të ketë 99% të aksioneve në Uniper, i cili deri më tani kontrollohej nga Fortum me bazë në Finlandë. Qeveria finlandeze ka aksionet më të mëdha në Fortum.
Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, tha se marrëveshja ishte e nevojshme për shkak të rëndësisë që luan Uniper në tregun gjerman të gazit. Megjithatë marrëveshja duhet të miratohet nga Komisioni Europian.
Uniper furnizon rreth 40% të të gjithë konsumatorëve të gazit në Gjermani, ndërsa para luftës blinte rreth gjysmën e gazit të saj nga Rusia.
Humbjet e kompanisë u rritën pasi Rusia shkurtoi furnizimet me gaz natyror për vendet europiane që mbështesin Ukrainën.
Çmimet për karburantin e domosdoshëm për ngrohjen e shtëpive, prodhimin e energjisë elektrike dhe fabrikat e energjisë, janë rritur, duke shtuar frikën e mbylljes së bizneseve dhe racionimit, teksa moti po shkon drejt ftohjes.
Vetëm javën e kaluar, Gjermania mori kontrollin e tre rafinerive të naftës në pronësi ruse përpara se embargoja ndaj naftës ruse të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm.
Nga ana e tij kancelari Olaf Scholz ka deklaruar se Gjermania është në një situatë të mirë për të kaluar dimrin me energji të mjaftueshme, duke folur për terminalet e reja të gazit natyror të lëngshëm që pritet të fillojnë punën në muajt e ardhshëm.



