
Kryebashkiakja aktuale e Shkodrës, njëkohësisht edhe kryetarja e Shoqatës së Bashkive, ka referuar në Gjykatën Kushtetuese procesin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Sipas Ademit, zgjedhjet që u mbajtën dy javë më parë ishin anti kushtetuese.
“Kemi referuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën me objekt konstatimin antikushtetues të procesit zgjedhor të zhvilluar me 30 qershor. Objekti i dytë ka lidhje me cerifikimin e kushtetutshmërisë të veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike lidhur me regjistrimin e saj në zgjedhjet e 30 qershorit me argumentat që tashmë dihen. Dekreti i Presidentit duhej të merrej në konsideratë”, tha Ademi.
Ademi tha se shpreson që kryeministri të mos pengojë dhe kjo gjykatë të ngrihet sa më shpejt dhe të mos fusë duart në emërimet që do të realizohen.
“Shpresojmë që në momentin e parë që Gjykata Kushtetuese të jetë në punë dhe të funksionojë të mund të fillojë menjëherë gjykimin e një çështje me rëndësi. Edi Rama të mos pengojë dhe kjo gjykatë të ngrihet sa më shpejt dhe të mos fusë duart në emërimet që do të realizohen. Shpresojmë që gjykata të marrë sa më shpejt në shqyrtim këtë çështje. Ne po veprojmë në mënyrë institucionale. Të gjithë kryetarët e bashkive apo subjektet e interesuara kemi bërë atë që ne kemi gjykuar që është e drejtë", tha Ademi.



