Pinguinët perandorë, specia më e madhe e pinguinëve në botë, po përballen me një kërcënim serioz nga ndryshimet klimatike, teksa rënia drastike e akullit detar në Antarktida po ua vështirëson mbijetesën.
Sipas një studimi të publikuar në revistën Communications Earth & Environment, procesi vjetor i ndërrimit të puplave, jetik për mbijetesën e tyre po kthehet në një rrezik vdekjeprurës.

Gjatë kësaj periudhe 30-40 ditore, pinguinët duhet të qëndrojnë mbi akull të qëndrueshëm derisa të rrisin pendët e reja të papërshkueshme nga uji. Nëse bien në ujë para përfundimit të këtij procesi, ata mund të ngordhin nga të ftohtit.
Studiuesit, të udhëhequr nga Dr. Peter Fretwell i British Antarctic Survey, analizuan imazhe satelitore në rajonin e Antarktida Perëndimore, ku jeton rreth 30-40% e popullsisë globale të pinguinëve perandorë.
Ata zbuluan se gjatë viteve 2022-2024, kur akulli detar ra në nivele rekord, shumica e kolonive nuk ishin më të dukshme në zonat tradicionale të ndërrimit të puplave.

Nga një mesatare prej 2.8 milionë km², sipërfaqja e akullit detar ra në vetëm 1.79 milionë km² në vitin 2023. Shkencëtarët mundën të identifikonin vetëm 25 grupe pinguinësh, ndërsa druajnë se mijëra individë mund të kenë humbur jetën ose janë zhvendosur, duke rrezikuar edhe ciklin e riprodhimit.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse trendi i ngrohjes globale vazhdon, shumica e kolonive të pinguinëve perandorë mund të zhduken deri në fund të shekullit, duke e bërë këtë specie një nga më të rrezikuarat në planet.



