
Një prej personazheve më të dashur për fëmijët mund të tregojë një anë që nuk ia njihnim. “Frozen – Mbretëria e akullit” pritet të sjellë surpriza. Personazhi kryesor, Elsa, në episodin e ardhshëm mund të pranojë se është lesbike. Lajmin e bën të ditur New York Post, e cila thekson se regjisorja dhe skenaristja Jennifer Lee nuk e përjashton mundësinë e lidhjes së Elsës me një grua tjetër.
Homoseksualiteti nuk është diçka e re për Frozen. Në kohën kur doli filmi, në vitin 2013, nuk ishin pak ata që gjetën nuanca homoseksualiteti te personazhet, madje në “Tuiter” u lançua edhe një fushatë që kërkonte rrëfimin e protagonists në të ardhmen.
“Më pëlqen ajo që thuhet dhe mendohet për filmin”, ka thënë Lee në lidhje me këtë mundësi. “Po krijohet njëfarë dialogu, elsa është një personazh i mrekullueshëm që u flet shumë njerëzve”, thotë ajo, duke shtuar se për episodin do të mbahen parasysh të gjitha argumentet.
Një lëvizje e tillë mund të hapë një debat në publik, për shkak të impaktit që mund të ketë ky ndryshim në një prej filmave më të dashur në të gjithë botën.



