Polonia po shqyrton nëse do të vazhdojë t’i lejojë udhëtimet vjetore nga Izraeli gjatë të cilave studentë të rinj vizitojnë kampet naziste të shfarosjes në territorin polak.
Lajmi raportohet nga mediat izraelite, të cilat i referohen një deklarate të zëvendësministrit të Jashtëm, Pawel Jablonski.
"Udhëtimet - citohet ai nga ANSA - nuk zhvillohen në mënyrën e duhur. Ndonjëherë ato ngjallin urrejtje për Poloninë në mendjet e të rinjve izraelitë. Ne do të marrim vendimin e duhur në këto udhëtime. Po përballemi me një sentiment anitpolak në Izrael. Dhe një nga arsyet është mënyra se si arsimohen dhe rriten të rinjtë izraelitë".
Deklaratat që i atribuohen Jablonskit vijnë pas krizës së fundit diplomatike midis dy vendeve me tërheqjen e të ngarkuarit me punë të Izraelit në Varshavë për shkak të miratimit nga Presidenti Duda të ligjit që kufizon ashpër pretendimet për kompensimin e pasurive hebraike të vjedhura gjatë Luftës Botërore II.



