
Është botuar në fletoren zyrtare vendimi i marrë sot nga Gjykata Kushtetuese, që hoqi pezullimin ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, duke e kthyer atë në detyrë.
Gjyqtarët që votuan pro kërkesës së kryeministrit Edi Rama, i cili kërkoi shfuqizimin e vendimit për pezullimin nga detyra, ishin Sonila Bejtja, Gent Ibrahimi Sandër Beci, Marjana Selimi dhe Fiona Papajorgji, ndërsa kundër votuan Ilir Toska, Marsida Xhaferllari dhe Asim Vokshi.
Kushtetuesja theksoi në vendimin e marrë sot se: “pezullimi i një ministri apo zëvendëskryeministri mund të ndikojë drejtpërdrejt në ushtrimin e kompetencave të qeverisë, duke sjellë vakum funksional”.
“Mbledhja e Gjyqtarëve, pasi mori në shqyrtim pretendimet e kërkuesit në mbështetje të kërkesës për pezullim, vlerësoi se në rastin konkret ajo ndodhet në kushtet e parashikuara nga neni 45 i ligjit organik të Gjykatës. Në vlerësimin e Mbledhjes së Gjyqtarëve, zbatimi i vendimeve nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të GJKKO-së së Shkallës së Parë, si dhe vazhdimi i masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, njëkohësisht zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, rrezikon të sjellë pasoja që prekin interesat shtetërorë gjatë ushtrimit të kompetencave kushtetuese të pushtetit ekzekutiv në drejtim të përcaktimit të politikave të përgjithshme shtetërore”, thuhet në vendim.




