
Pas deklaratave të kryedemokratit Sali Berisha se Erion Veliaj mund të jetë arratisur, ka reaguar kryebashkiaku i Tiranës.
Veliaj thotë se është për takime të planifikuara prej kohësh në SHBA dhe do të kthehet në Shqipëri pas dy ditësh.
Më herët Berisha kërkoi kthimin urgjentisht të Veliajt në Tiranë, duke pretenduar se ai është arratisur.
“Po shkoj në Amerikë, për takime që i kam lënë prej kohësh, se jam kryetari i Bashkisë së Tiranës, dhe nuk jam Non Grata, o fundërrinë e historisë, që u bërë stërgjysh dhe sa më shumë zhubravitesh në atë surratin e lig, aq më shumë qelb Tiranën me gojën tënde”, thotë Veliaj në reagimin e tij.
"Do të kthehem për dy ditë, dhe me durimin e paepur në pritje që të më vijë radha mua, se unë nuk jam burrë legen si ti, që kur SPAK-u merret me ty e me hajdutët e farës tënde është SKAPi i partisë, kurse kur merret me mua e me familjen time është SPAK-u i drejtësisë! Unë e di radhën e punëve dhe tani e ka radhën prokurori special të bëjë çfarë të dojë, pastaj vjen radha ime për të thënë çfarë duhet", shprehet kryebashkiaku.

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka konfirmuar se ekzistojnë të dhëna konkrete për të paktën 4 vepra penale në lidhje me hetimin pasuror ndaj familjes "Veliaj". Hetimet e prokuorëve Altin Dumani dhe Olsi Dado janë fokusuar te dyshimet se kryebashkiaku ka konsumuar elementë të veprës penale, duke përfituar përmes bizneseve të lidhura me familjarët e tij dhe biznesmenin Elman Abule.
Po gjatë këtij muaji, gjykata ka sekuestruar telefonin e bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa, dhe ka ushtruar kontroll në ambientet e qendrës “Harabel” dhe të “Nan Gallery”, të themeluara prej saj.
Pjesë e hetimeve ka qenë edhe kontrolli në një apartament dhe një vilë në pronësi të vëllait të kryebashkiakut, Arbër Veliaj, biznesin e tij “Gogel Shpk” dhe kompaninë “Rametal Shpk”, në pronësi të biznesmenit Abule.



