Deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho tha në Mcn Live se opozita duhet të dalë në terren dhe të ketë komunikim e ndërveprim me qytetarët, përveç aksionit në Parlament.
Lidhur me mundësinë e grevës apo formave të tjera ekstreme nga ana e opozitës, Xhixho tha se kjo do shihet në vazhdim.
Duke folur për seancën e djeshme në Kuvend, Xhixho tha se opozita reagoi me të drejtë, pasi Diella u prezantua si ministre, çka është anti-kushtetuese.
“Të gjithë deputetët regjistruam emrin për të folur. Seanca kishte një rëndësi shumë të madhe. Opozita në momentin që po fliste kryeministri, s’po fliste fare. Momenti i reagimit erdhi kur Diella, në mënyrë anti-kushtetuese u paraqit në Parlament. Dekreti i Presidentit duke e caktuar ministre, kur Kushtetuta i jep qartë kriteret kush quhet ministër. Në momentin që i vihet fakt i kryer Diella që flet aty, në këtë moment opozita reagoi. Ka qenë një kurth, ashtu e mendoj edhe unë. Ka qenë një situatë e paramenduar nga kryeministri dhe qeveria, pasi s’duan debat dhe llogaridhënie. Padyshim që bie dakord që duhet të jemi më të kujdesshëm dhe të organizuar, për të mos rënë pre e kurtheve të mazhorancës. Opozita u përjashtua nga arroganca e kartonave. Diella është Edi Rama, s’ka bazë ligjore”.
E pyetur a jeni për grevë dhe përshkallëzim, Xhixho tha:
“Mendoj që përveç Parlamentit duhet të takojmë qytetarët, të dalim nga korniza parlamentare dhe të kemi denoncime në terren, dhe komunikim shumë më të madh me qytetarët. Ndërveprimi me qytetarët është emergjencë e opozitës. Pastaj vendimmarrjet për të kaluar në ekstrem, do shihen në vazhdën e këtij rrugëtimi”.
“Në një situatë kur ke censurë mediatike, hapësira të vogla në Parlament, mendoj që komunikimi, diskurset me qytetarët, ndërgjegjësimi i tyre duhet të jenë pjesë e një axhende të opozitës në tërësi”, shtoi ajo.



