Dekonspirimi i operacioneve policore nuk është më një fushë e preferuar e grupeve kriminale. Ata kanë kaluar në një tjetër fazë, duke rekrutuar direkt policë të cilët janë përfshirë në trafikun direkt të kokainës dhe armëve. Ky është bilanci i më pak se 1 jave operacione që ka zbuluar rekrutime nga operacionalja deri tek policia e burgjeve në vend.
Në më pak se një javë, operacionet e Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore zbuluan se brenda radhëve të uniformave blu, krimi jo vetëm është i pranishëm, por ka rekrutuar dhe ka efektivët e tij.
Mbrëmja e 21 marsit do të zbulonte se pas trafikut të një kilogramë kokainë qëndronin katër persona.
Në pranga ra Enea Sulejmanaj edhe dy shokët e tij të cilët ishin pasagjerë në mjetin ku ndodhej kokaina. Përkatësisht Shkëlqim Ostreni 26 vjeç dhe Igli Begaj 20 vjeç, ndërsa një tjetër shtetas u shpall në kërkim.
Këqyrja e telefonave celularë, zbërthimi i mesazheve dhe provat e AMP-s çuan hetuesit tek efektivi operacionales Ervis Shkurta.
Në komunikimet me të arrestuarit ai është identifikuar si “Visi i Pazarit” ndërsa për të katër tashmë është caktuar masa e sigurisë ‘arrest në qeli’.
Efektivi i grupit operacional në drejtorinë e Tiranës ka mohuar të jetë i përfshirë në këtë aktivitet ndërsa provat e siguruara nga AMP dhe prokuroria kanë bërë që ndaj tij të ngrihet akuza, pasi rezulton se me një nga tre të ndaluar nga numri britanik regjistruar me kodin “Visi Pazarit” të ketë mesazhe që shfaqin interes për trafikun e drogës dhe thirrje të humbura gjatë kohës së operacionit.
Por droga rezulton se s’është i vetmi biznes në të cilin krimi ka rekrutuar policët, dekonspirimi i aksioneve ka qenë ndër më masivi dhe sot thuajse është inekzistent.
Kjo ka bërë që nëntoka të gjej të tjera forma duke i bërë policët shpesh shoqëruesit me uniformë të mallit të ndaluar.
I tillë është rasti i polices e cila nga Shkodra u nis të trafikonte armatim luftarak kallashnikov në Tiranë.
Denisa Halilaj, 22 vjeçe, që shihni në këtë foto në automjetin tip Golf ishte së bashku me Denis Hasajn, 18 vjeç. Në rolin e vëzhguesit të rrugës ata ishin të parët në autokolonë ndërsa pas tyre qëndronte mjeti BMË me trafikantët dhe armët.
Marjan Hasaj, 26 vjeç, Redi Nika, 18 vjeç, dhe Sabian Hasaj, 22 vjeç teksa drejtoheshin nga efektivja e burgjeve dhe shoku i tyre morën rrugën nga Malësia e Madhe drejt Kryeqytetit.
Në bagazhet e të rinjve nuk kishte asgjë që lidhej me një udhëtim turistik apo për qejf, në to ndodheshin 4 automatikë kallashnikov dhe 5 pushkë karabin 10 siç dhe shihni në pamje.
Ndërhyrja e policisë hoqi nga duart e krimit 9 armë të cilat i përkasin armatimit të ushtrisë shqiptare dhe depove të bastisura më 1997.
Veç armëve të rinjve ju sekuestruan telefonat celularë dhe automjetet, hetimet janë duke vijuar për të identifikuar të tjerë persona për armët që në treg të zi do të shiteshin nga 400 deri në 1000 euro copa.



