Kreu i ri i LSI, Petrit Vasili, tha se partia, drejtimin e të cilës mori dje, është në dispozicion të zgjidhjes së krizës politike. Vasili e vuri theksin te domosdoshmëria e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe shtoi rëndësinë e rolit të PPE-ve në negocimin e mëtejshëm mes palëve.
“Ne e kemi inkurajuar dhe kemi qenë në dispozicion të cdo zgjidhjeje që synon zgjedhje me standard. Në funksion të kësaj zgjidhjeje kemi vendosur të gjitha postet tona në përfaqësimin politik. Asnjë sakrificë nuk është e madhe në krahasim me garantimin e standardeve të zgjedhjeve. LSI nuk ka qenë pjesë e këtij negocimi. Ai ka qenë negocim bilateral. Varianti i propozuar nga PPE në vlerësimin tonë i jepte garanci PD-së të bëhej pjesë e procesit. Do të ishin të mirëpritura dhe të besuara që Partitë Popullore ta thonë fjalën e tyre. Por stabiliteti i vendit që lidhet me zgjedhjet është mbi çdo gjë. Kërkon sakrifica, ne kemi qenë të gatshëm”, tha ai.
I pyetur se ku e sheh veten LSI-ja nëse PS merr 71 mandate në zgjedhjet e 18 qershorit, Vasili nuk dha përgjigje të qartë.
“Nuk ka rëndësi rezultati. Përpara kemi një detyrë, a do të jenë zgjedhjet të lira e të pranueshme. Pa i dhënë përgjigje çështjes së zgjedhjeve të lira, nuk mund të bëjmë reforma të tjera. Zgjedhjet e kontestuara nuk do të prodhonin stabilitet dhe as reforma. Fokusi duhet të jetë ky”, tha ai.



