
Ligjvënësit e Ugandës miratuan të martën disa nga ligjet më të ashpra në botë kundër homoseksualëve, duke i bërë disa krime të dënueshme me vdekje dhe duke vendosur deri në 20 vjet burg për personat që identifikohen si LGBTQ+ .
Legjislacioni i ri përbën një goditje të mëtejshme ndaj personave LGBTQ+ në një vend ku marrëdhëniet e të njëjtit seks ishin tashmë të paligjshme, të dënueshme me burgim të përjetshëm.
Ai synon një sërë aktivitetesh dhe përfshin një ndalim për promovimin dhe nxitjen e homoseksualitetit, si dhe konspiracionin për t'u përfshirë në homoseksualizëm, raportoi Reuters.
Sipas projektligjit, dënimi me vdekje mund të përdoret për rastet që përfshijnë "homoseksualitetin e rënduar", një term i gjerë i përdorur në legjislacion për të përshkruar aktet seksuale të kryera pa pëlqim ose nën detyrim, kundër fëmijëve, njerëzve me aftësi të kufizuara mendore ose fizike, nga një "shkelës serial”, ose që përfshin inçestin.
Ligjvënësi i opozitës Asuman Basalirwa prezantoi në parlament projektligjin kundër homoseksualitetit 2023, duke thënë se ai synon “të mbrojë kulturën tonë kishtare; vlerat ligjore, fetare dhe tradicionale familjare të ugandasve nga aktet që ka të ngjarë të nxisin shthurjen seksuale në këtë vend.”
“Objektivi i projektligjit ishte krijimi i një legjislacioni gjithëpërfshirës dhe të zgjeruar për të mbrojtur vlerat tradicionale të familjes, kulturën tonë të larmishme, besimet tona, duke ndaluar çdo formë të marrëdhënieve seksuale midis personave të të njëjtit seks dhe promovimin ose njohjen e marrëdhënieve seksuale ndërmjet personave të të njëjtit seks”, tha Basalirwa.
Ligjvënësi Fox Odoi-Oywelowo u shpreh kundër projektligjit, duke thënë se ai "bie ndesh me standardet e vendosura ndërkombëtare dhe rajonale të të drejtave të njeriut" pasi "kufizon në mënyrë të padrejtë të drejtat themelore të personave LGBTQ+".
Grupi mbrojtës i të drejtave Human Rights Watch (HRW) paralajmëroi në fillim të këtij muaji se ligji do të shkelte të drejtat e Ugandës. Projektligji pritet t'i shkojë përfundimisht Presidentit të Ugandës Yoweri Museveni për miratim.



