
Najada Frashëri u largua nga Tirana në moshën gjashtëvjeçare, por pasioni për kuzhinën kishte zënë vend në zemrën e saj që atëherë.
Me një gjyshe italiane që i qëndroi pranë gjatë fëmijërisë, Najada u rrit mes dy kulturave dhe dashuria për gatimin u bë ura që i bashkoi.
Në një intervistë për emisionin “Zgjohu me MCN”, ajo rrëfen rrugëtimin e saj të jashtëzakonshëm drejt suksesit në Italinë e kuzhinës së famshme botërore.
Sot, Najada është një Master Shefe e njohur, që ka gatuar për personalitete të njohura dhe evente luksoze.
Gjithçka nisi natyrshëm. E mbaj mend veten si fëmijë në shtëpinë tonë në Shalvare, duke parë gjyshen time që gatuante makarona. Ajo më mësoi dashurinë për përbërësit, për shijet, për përkujdesjen në detaje.
Për mua, kuzhina është një formë arti dhe krijimi. Edhe nga një vezë mund të krijosh një sufle të mrekullueshëm. Ka magji në këtë proces.
Gjithmonë kam pasur një uri për të mësuar më shumë, për teknika të reja, kultura të ndryshme dhe për mënyrën se si kuzhina bashkon njerëzit, pavarësisht ndryshimeve sociale apo kulturore.
Ajo flet me pasion për trahanën, të cilën e konsideron më të pasur dhe autentike se shumë receta të njohura italiane.
Kam gatuar për evente të veçanta, si karnavalet e Venecias apo darkat e ditëlindjes së fisnikëve. Një herë, për një dasmë luksoze, përgatita trahanë shqiptare me kërpudha dhe petale floriri, që të bëhej më e prekshme për klientët italianë, ishte një mënyrë për të sjellë Shqipërinë në tryezë.
Është gjynah që nuk e gjejmë nëpër menu në restorantet këtu. Është një thesari i fshehur i kuzhinës shqiptare.



