Një çështje penale e dërguar në Gjykatën e Lartë nga Prokurori i Apelit për rivendosjen e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj një shtetasi ka shërbyer si rast për një vendim të ndërmjetëm të gjykatës për rishikimin e praktikës gjyqësore mbi masat e sigurimit personal.
Sipas vendimit të ndërmjetëm të Gjykatës së Lartë, rrezikshmëria e personit nuk duhet të çojë në vendosjen automatikisht të masës së sigurisë “arrest me burg” në çdo rast.
Lidhur me këtë procedurë, avokati Kujtim Cakrani në ‘MCN Live’ u shpreh se ky është një hap drejt respektimit të parimit të prezumimit të pafajësisë dhe drejt një sistemi më proporcional të masave të sigurimit.
Ky është një lajm i mirë, më në fund Gjykata e Lartë u ngrit nga gjumi pasi paraburgimet në Shqipëri kanë arritur nivele të frikshme, duke mbipopulluar burgjet. Komuniteti i avokatëve ka ngritur shqetësimin për masat e arrestit, sidomos atë të arrestit me burg, si një problem që jo vetëm mbipopulloi burgjet, por gjithashtu cenoi prezumimin e pafajësisë.
Vendimi i ri u jep gjyqtarëve mundësinë të analizojnë më thellë rrethanat e arrestimit të personit, duke mos u bazuar vetëm në një ‘dyshim të arsyeshëm’ të përgjithshëm.
Gjykata e Lartë po rishikon vendimet e mëparshme që kanë çuar në një mbipopullim të paraburgosurve, ku aktualisht 60% e të burgosurve janë në paraburgim, një nivel shumë më i lartë se standardi i BE-së prej 25%.
Ky rishikim është i rëndësishëm për të garantuar se masa e arrestit në burg vendoset vetëm kur ekzistojnë prova reale dhe arsye të qarta.
Në fund ai tha se ky vendim mund të shënojë një ndryshim të rëndësishëm në praktikën gjyqësore dhe në përmirësimin e situatës në burgjet shqiptare, duke u përpjekur për një ekuilibër më të drejtë mes sigurisë publike dhe të drejtave të të paraburgosurve.



