
Në nisje të sesionit të ri të parlamentit, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi gjatë fjalës së tij në foltore u shpreh se Kuvendi është legjitim dhe funksional, pasi i ka votat e mjaftueshme për të miratuar çdo ligj, duke i kthyer kështu një përgjigje Presidentit Ilir Meta që e cilëson si jo legjitim.
Ruçi deklaroi se prioritet i punës së kuvendit do të jetë përmbyllja e reformës zgjedhore si dhe ngritja sa më parë e Gjykatës Kushtetuese, për të cilën kryeparlamentari tha se shumë shpejt do të dorëzohen kandidaturat.
“Me gjithë vështirësitë që u shkaktuan me lënien e mandateve nga opozita, kjo gjë nuk pengoi produktivitetin e Kuvendit. 40 nga 58 mandate u zëvendësuan shpejt, që ndihmoi në rikthimin e normalitetit dhe legjitimitetit të Kuvendit. Kuvendi fillon këtë sesion si funksional me kuorum kushtetues, me shumicë të kualifikuar për të miratuar cdo akt ligjor.
Kjo shpreh edhe një përgjegjësi të lartë grupit opozitar, kushtetuese dhe politike për të cilën meritojnë mirënjohje. Kushtetuta u rezistoi aventurave ‘liri nën ligj’ duke shpëtuar sistemin nga kaosi.
Prioritet i parë do të jetë përmbyllja e reformës zgjedhore. Reforma do të jetë një produkt konsensual duke përfshirë jo vetëm opozitën parlamentare, por edhe atë jo- parlamentare. Reforma në drejtësi do të vijojë për të përfunduar ngritjen e të gjitha institucioneve të reja. Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë do të zgjidhen shumë shpejt”, premtoi kryeparlamentari.
Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi tha se të gjithë presin negociatat, ndërsa theksoi se dora e shumicës është e shtrirë për opozitën jashtë parlamentit për reformën zgjedhore.

Në fjalën e tij në Kuvend, kryetari i Kuvendit Ruçi, u ndal edhe te 75-vjetori i çlirimit të Shqipërisë, por kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat, Adriatik Alimadhi reagoi duke kërkuar rishikim të historisë.
"Shqiptarët po vriten për pronat. Mendoj se duhet një ligj i mirë për pronat, bankat, hidrokarburet, etj. Presin shqiptarët që të takohen këta dy liderë të famshëm për të zgjidhur problemet e shqiptarëve. Kjo Shqipëri kullon gjak shqiptarët. Janë vrarë 5-6 mijë shqiptarë, si mund të quhet kjo luftë e lavdishme. Kryetari i Kuvendit na fton të shkojmë te baballarët e tyre që na kanë vrarë. Një anëtar i PD-së më tha se kryetari i kishte thënë një deputeti 'nesër hajde në ditën e dëshmorëve', 5 Maji. Por tha si mund të vij unë atje, kur ata më kanë vrarë babanë? A do i japim dorën njëri tjetrit? Ju lutem largohuni, akoma armiq do të mbetemi ne? E ftoj me dorë në zemër kryeministrin të nisim projektligje që janë në dobi të shoqërisë shqiptare", tha ai.

Ndërkohë në fjalën e saj, deputetja e PD-së, Rudina Hajdari u shpreh se ishte kryedemokrati Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi ata që i dhanë pushtet Ramës.
“Jemi një kryeministër që ka sjellë regresin e Shqipërisë. Nuk ka dyshim që qeveria nuk ka vullnet dhe dëshirë që të dënojë askënd që akuzohet për korupsion. Dosjet 339 dhe 184 shumë shpejt do mbyllen. Nuk ka dyshim që skema e fundit e PPP, kanë fundosur buxhetin e shtetit dhe janë ndërt më të rrezikshmet për vendin. Shqipëria nuk ka pasur asnjë imvestim të huaj direkt. Shqiptarët po largohen çdo ditë e më shumë. Nuk ka asnjë dyshim që bandat kanë zbatuar vendin dhe kanë pushtet mbi pushtetin. Basha dhe Monika Kryemadhi kërkuan që ta bënin Ramën perandor. Ata kërkuan që Rama të instalonte diktaturën në vend. Opozita duhet të qëndrojë në parlament. Është e vetmja rrugë e drejtë. Duhet të mbështesim reformën në drejtësi. Po zvarritet nga PS dhe po atakohet nga partitë jkashtë parlamentit. Ky parlament dhe kjo opozitë që do të çojë para reformën zgjedhore. Pavarësisht marrëveshjes së fundit për abandonimin e parlamentit. Ne s’do kemi kurrë një qeverisje të mirë nëse nuk ka një qeverisje autokratike. Unë kam bindjen e plotë se Rama është i mbrojtur nga Basha dhe Kryemadhi. Ata nuk e duan zhvillimin e këtij vendi”, u shpreh deputetja Hajdari.



