Opozita ngul këmbë në qëndrimin e saj se nuk hyn në zgjedhje me Ramën kryeministër. Kjo vlen edhe për zgjedhjet që mbahen në Kavajë më 7 maj, datë e cila u njoftua sot pas dekretit të presidentit.
Kreu i grupit parlamentar të demokratëve, Edi Paloka, tha se për PD dhe opozitën nuk ka ndryshuar asgjë dhe se mbeten të vendosur për të mos marrë pjesë në asnjë proçes zgjedhor me kryeministër Edi Ramën.
“Presidenti ka zbatuar detyrimin e tij kushtetues por ju jeni në dijeni të vendimit që ka marrë jo vetëm PD por gjithë opozita, nuk ndryshon asgjë nga ai vendim. Zgjedhje me Edi Ramën, me bandën, paratë e pista të drogës dhe me kriminelë në Shqipëri nuk do të ketë, në Kavajë apo cilëndo zonë tjetër të Shqipërisë. Vendimi i opozitës është i parevokueshëm dhe nuk është thjesht vendim i disa partive politike të bëra bashkë por një vendim i marrë nga qytetarët me 18 shkurt”, tha ai.



