Ekspert i turizmit Leonard Seferi tha në “Mcn Economy” se Shqipëria nuk është e gatshme për të ofruar një turizëm elitar. Seferi theksoi që Shqipëria ka ende probleme bazike që lidhen me shërbimin, infrastrukturën dhe derdhjen ujërave të zeza në det. Ndër të tjera ai vuri në dukje se promovimi duhet të përputhet me pritshmëritë pasi përndryshe kthehet në bumerang.
Unë e kam konsideruar si fat 2023-shin. Edhe shifrat që na serviren kanë një farë mosrealiteti. Kryesisht janë shqiptarë që kanë ardhur nga trevat. Shifrat janë fakt. Kanë ardhur këta njerëz edhe pse kalkulimi është një specifikë më vete. Mbi 4 milionë janë shqiptarë nga Kosova, që janë të përsëritur, që mund të kenë ardhur gjatë fundjavave. Ajo që dua të cilësoj është infrastruktura që lë për të dëshiruar akoma. Ka një problem që nga zanafilla e thelbit që ne mundohemi t’u imponojmë shqiptarëve, që ne po kërkojmë turizëm elitar, e kështu me radhë, ndërkohë që ne në shumë plazhe s’plotësojmë kriteret bazë, përfshirë shërbimin, infrastrukturën, derdhjen ujërave të zeza. E shoh këtë terminologjinë e turizmit elitar si një flluskë që s’e di për çfarë përdoret, ne s’plotësojmë asnjë element për turizëm elitar në kushtet aktuale. Promovimi nëse nuk përputhet me pritshmërinë të kthehet edhe në bumerang. Ne jemi akoma në fazën e desinformimit, të grindjeve, jo fatura kushtoi kaq, jo kushtoi aq. Ndërkohë në Mykonos, ata që kanë shkuar e dinë sa rrjedhshëm funksionin gjithë zinxhiri i turizmit”.



