
Klima e biznesit në Shqipëri nuk është favorizuese për investitorët e huaj. Ky është një nga konkluzionet e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi investimet e huaja në vendin tonë. Duke iu referuar investitorëve të huaj, raporti evidenton korrupsionin, në mënyrë të veçantë atë në gjyqësor, mungesën e transparencës në procedurat e prokurimit publik dhe zbatimin jo të plotë të kontratave si pengesa të vazhdueshme për investimet në Shqipëri.
Po ashtu, probleme për investitorët e huaj, Shqipëria paraqet në legjislacionin dhe rregulloret e vështira për t'u interpretuar ose jo konsistente, që shpesh përdoren si mjete për t’i dekurajuar investitorët e huaj, në mënyrë që të favorizohen kompanitë e lidhura me politikën. Raporti përmend gjithashtu hartimin e ligjeve që rregullojnë veprimtarinë e biznesit, pa konsultime me palët e interesuara.
“Rregulloret dhe ligjet në bazë të të cilave zhvillohet veprimtaria e biznesit, ndryshojnë shpesh dhe pa konsultime të plota me komunitetin e biznesit; pronarët e bizneseve dhe shoqatat e biznesit shpesh theksojnë se nuk kanë marrë njoftim, nuk u është dhënë kohë ose mundësi e mjaftueshme për angazhim në ndryshimet rregullatore dhe legjislative”, thuhet në raport.
Duke iu referuar investitorëve të mëdhenj të huaj, raporti ngre shqetësimin e tyre për presionin për të punësuar nënkontraktorë me lidhje politike specifike. Po ashtu, në raport theksohet numri i madh i rasteve të korrupsionit në procedurat e prokurimit dhe efekti negativ që kanë koncesionet në konkurrencë.
“Raportet e korrupsionit në procedurat e prokurimit të qeverisë janë të zakonshme. Përdorimi në rritje i kontratave të partneritetit publik privat ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë, duke përfshirë edhe investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe në sektorë të tjerë. Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme. Qeveria kishte nënshkruar më shumë se 200 kontrata PPP deri në fund të vitit 2018”, thuhet në raport.
Një tjetër aspekt që evidentohet në raport është e drejta e pronës, manipulimet në gjykata dhe kompensimi në disa raste edhe i pamundur.
“Të drejtat e pronës mbeten një sfidë tjetër në Shqipëri, pasi titulli i pronësisë është i vështirë për t'u marrë. Ka pasur raste që individët kanë manipuluar sistemin gjyqësor për të marrë tituj të paligjshëm pronësie mbi tokën. Kompensimi për tokën e konfiskuar nga regjimi i mëparshëm komunist është i vështirë për t'u arritur dhe joadekuat. Agjencia e ngarkuar me heqjen e ndërtesave të paligjshme shpesh vepron pa konsultime të plota dhe nuk ndjek procedurat”, evidenton raporti.
Për investitorët e huaj, energjia, turizmi, furnizimi me ujë dhe kanalizimet, rrugët dhe hekurudha, minierat dhe teknologjia e komunikimit të informacionit paraqesin perspektivat më të mira për investimet e huaja direkte në Shqipëri gjatë disa viteve të ardhshme.
Por pavarësisht potencialit për të tërhequr investime të huaja, Shqipëria perceptohet si vendi më i korruptuar në Ballkanin Perëndimor, gjë që sipas raportit, ndikon te investitorët.
“Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2018, nga Transparency International, e renditi Shqipërinë të 99-n në listën e 180 vendeve, një rënie me tetë vende në krahasim me vitin 2017. Rrjedhimisht, Shqipëria tani perceptohet si vendi më i korruptuar në Ballkanin Perëndimor. Ndërkohë që është përmirësuar me dy vende, deri në të 63-tin, në sondazhin e Bankës Botërore "Doing Business" të vitit 2019, Shqipëria ka vijuar të performojë dobët në fushat e zbatimit të kontratave, regjistrimit të pronës, dhënies së lejeve të ndërtimit dhe sigurimit të energjisë elektrike”, thuhet në raport.
Në tërësi, raporti vlerëson ligjet që rregullojnë biznesin dhe investimet e huaja në vend, por gjen mangësi në zbatimin e plotë të tyre dhe në punën e gjyqësorit.
“Megjithë legjislacionin mikpritës, investitorët e SHBA janë sfiduar nga korrupsioni dhe vazhdimi i praktikave informale të biznesit. Disa investitorë amerikanë janë larguar në vitet e fundit pas mosmarrëveshjeve të diskutueshme tregtare, duke përfshirë disa raste që janë dërguar në arbitrazh ndërkombëtar”, thotë raporti.
“Korrupsioni është endemik në sistemin gjyqësor shqiptar dhe investitorët e SHBA këshillohen të përfshijnë klauzolat e detyrueshme ndërkombëtare të arbitrazhit në marrëveshjet me homologët shqiptarë”, thuhet më tej.
Ndërkohë, pavarësisht se sistemi tatimor i Shqipërisë nuk bën dallim midis investitorëve të huaj dhe vendas, informaliteti në ekonomi, që mund të përfaqësojë rreth 40 për qind të ekonomisë formale, paraqet sfida për administratën tatimore.



