Kryetari i PD, Lulzim Basha përmes një konference për media, ka paralajmëruar se situata në vend po përkeqësohet. Kryedemokrati Basha tha se kriza sa vjen e thellohet teksa ka komentuar dhe deklaratën e kryeministrit Edi Rama sa i përket planit me 5 pika të opozitës për të përballuar situatën nga COVID-19.
“Javët kalojnë dhe kriza bëhet më e thellë. Sot të tjera të dhëna tronditëse. Numri i të papunëve po shtohet me qindra në ditë, numri i bizneseve që po largojnë punëtorë dhe që po mbyllen po rritet krahasuar me muajt e tjerë të vitit. Shëndetësia në kufijtë e kolapsit.
Siguria e fëmijëve dhe mësuesve në shkolla është lënë në mëshirë të fatit. Qeveria dhe kryeministri nuk kanë marrë asnjë masë. Kjo është gjendja sot, përkeqësim i thellë në të gjitha aspektet e jetës.
Pyetjes suaj sot paradite nëse ka ndërmend ta zbatojë planin me 5 pika që kemi shpalosur prej dy javësh Edi Rama i është përgjigjur se nuk ka dëgjuar për këtë plan. Në fakt unë e besoj dhe pse ju nuk e besoni, unë zgjedh ta besoj që nuk e ka dëgjuar sepse ka vite që Edi Rama nuk dëgjon njerëzit, prindërit që kanë humbur vendin e punës. nuk dëgjon biznesin, sipërmarrjen që ka vite që lufton për mbijetesë dhe tani po i dorëzohet falimentimit. Nuk dëgjon mjekët që kërkojnë atë që iu është premtuar, mbështetjen minimale”, deklaroi Basha.
Basha akuzoi kryeministrin se nuk dëgjon qytetarët, por oligarkët.
“Ekonomia po zhytet në krizë, papunësia po rritet në mënyrë gjeometrike. Bizneset, qytetarët nuk kanë asnjë mjet për të tejkaluar këtë krizë të thellë. Qeveria nuk dëgjon bizneset, nuk dëgjon mjekët, nuk dëgjon mësuesit, nuk dëgjon të rinjtë që lënë Shqipërinë nga terminali i autobusëve. Plani ynë me 5 pika nuk është kinematografi me regji qendrore, nuk janë cic-mice, por rrugëdalje nga kriza. Edi Rama dëgjon vetëm zërin e oligarkëve të tij që kërkojnë para për inceneratorët. Me çfarë i ushqejnë fëmijët shqiptarët që janë braktisur prej muajsh pa asnjë burim të ardhurash? Po bëhet 1 vit nga tërmeti, qytetarët janë ende në çadra, në shtëpi të rrënuara që rrezikojnë t’i zënë poshtë. Plani me 5 pika, ofrimi i mbështetjes për të mbrojtur mjekët, trefishimi i numrit të testimeve. Plani ynë me 5 pika, 1000 euro shtesë mujore për çdo mjek, 500 euro për çdo infermier. Plani me 5 pika, pajisja e shkollave me pajisje dhe materiale sanitare, testimi i të gjithë e mësuesve.”
Plani i Rimëkëmbjes: 5 hapa kundër krizës
1. Mbështetje dhe përgatitje e sistemit shëndetësor: Përgatitja për një shpërthim tjetër të infeksionit të COVID-19, duke:
a) Rritur numrin e testimeve për COVID në 2500 testime në ditë.
b) Rimbursim i plotë për marrjen e mjekimit ambulator kundër COVID.
c) Sigurimin e paisjeve mbrojtëse për të gjithë personelin shëndetësor dhe rritjen e kapaciteteve spitalore.
d) Bonus 1000 Euro për çdo mjek dhe 500 euro për çdo infermier për 6 muajt e ardhshëm.
2. Fëmijët tanë të arsimohen të sigurtë: Të garantojmë që fëmijët dhe mësuesit në shkollë të jenë të sigurtë, duke:
a) Përmirësuar kushtet sanitare në shkolla duke përfshirë furnizimin me ujë, paisjen me maska mbrojtëse dhe dezinfektimin e rregullt të ambienteve mësimore.
b) Kryer testimin periodik për mësuesit dhe stafin ndihmës.
c) Investuar në teknologji për rastet kur mund të aplikohet mësimi në distancë, përfshirë ndihmën për familjet me të ardhura të ulta për të blerë tableta për fëmijët e tyre, në mënyrë që edhe ata të përfitojnë nga mësimi në distancë.
3. Asnjë shqiptar të mos lihet pas dore:
a) Të mbështesim ata që kanë humbur vendin e punës. Çdo individ që ka humbur vendin e punës nga pandemia gjatë këtij viti, të përfitojë një çek mujor prej 16 mijë lekë të reja në muaj, përvec pagesës ligjore për papunësinë, për një periudhë prej 6 muajsh.
b) Krijimi i një Fondi të Punësimit për të mbështetur bizneset për të rimarrë në punë të larguarit gjatë pandemisë, duke i alokuar cdo punëdhënësi që rimerr në punë një individ që ka humbur vendin e punës prej pandemisë, një shumë mujore prej 20 mijë lekë të reja në muaj për një periudhe prej 6 muaj.
c) Dyfishimi i ndihmës ekonomike për çdo familje që trajtohet me ndihmë ekonomike.
d) Çdo pensionist të përfitojë një çek mujor prej 2 mijë lekë të reja në muaj për përballimin e kostove shtesë të pandemisë, për 6 muaj.
4. Ndihmë për biznesin e vogël: Mbështetje e drejtpërdrejtë për të gjitha bizneset e vogla të prekura nga pandemia. Çek prej 1000 euro për çdo biznes të vogël aktiv.
5. Mbështetje për biznesin prodhues dhe punëdhënësit e mëdhenj:
a) Për 6 muajt e ardhshëm, subvencionim i 50% të qirasë për ambjentet e punës ose heqje e taksës së pronës për bizneset pronare të ambjenteve të punës.
b) Shtrirja në kohë dhe rikonceptimi i kritereve të përfitimit nga të dy skemat e garancisë sovrane, për ta bërë më të aksesueshme dhe të përballueshme kredimarrjen nga biznesi. Përcaktimi i një tavani prej 2% të normës së interesit për biznesin, duke subvencionuar çdo përqindje mbi këtë vlerë në kredimarrjen për investime dhe shpenzime operative.



