
KLP ka argumentuar arsyen e mosshqyrtimit të kërkesës së PD-së dhe LSI-së për shkarkimin e Arta Markut nga detyra e kreut të Prokurorisë së Përgjithshme. Në një letër dërguar dy krerëve të grupeve parlamentare, Edmond Spaho dhe Petrit Vasili, KLP shpjegon arsyet e refuzimit të kërkesës në mbledhjen e datës 22 shkurt.
Në letrën e publikuar sot, që mban firmën e kreut të KLP-së, Gent Ibrahimi, argumentohet:
1- E drejta për nisjen e procedimit disiplinor ndaj Prokurorit të Përgjithshëm i takon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
2 - Dispozitat tranzitore të Kushtetutës nuk parashikojnë se cili institucion do të ushtrojë kompetencën për nisjen e procedimit disiplinor ndaj Prokurorit të Përgjithshëm në periudhën kalimtare deri në krijimin e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë.
3- Deri në përfundim të mandatit të Kolegjit të Apelimit procedimet disiplinore kundër Prokurorit të Përgjithshëm shqyrtohen nga Kolegji i Apelimit dhe jo KLP.
Përgjigjja zyrtare e KLP-së vjen disa javë pasi dy krerët e grupeve parlamentare të dy partive më të mëdha të opozitës i drejtuan këtij institucioni kërkesën për nisjen e procedimit disiplinor dhe shkarkimin e Arta Markut, me argumentin se Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme ka shkelur rëndë ligjin duke mos përmbyshur detyrimin ligjor për verifikimin e plotësimit të kushteve ligjore nga kandidatët, duke u nisur nga rasti i Bujar Sheshit.



