Në seancën e sotme parlamentare të Kosovës Lidhja Demokratike nëpërmjet përfaqësuesve të saj ka kërkuar që në vijim seancat të mbahen ‘online’ për shkak të numrit të lartë të të prekurve. Më konkretisht propozimi erdhi nga deputetja Besa Gxeherri, nisur nga fakti që 10 deputetë të Kosovës më herët kanë rezultuar të prekur me koronavirusi.
“Në emër të LDK’së e ngre propozimin tuaj si mocion që ne ta ndryshojmë rregulloren e Kuvendit dhe të kemi mundësi që të punojmë nga largësia, për shkak se deri më tani 10 deputetë janë të infektuar, unë besoj se një numër më i madh prej nesh janë të infektuar. Të takohen përfaqësuesit e grupeve parlamentare me një tekst të thjeshtë që seanca të mbahet nga largësia për ndonjë afat të caktuar kohor. Ju kisha lutë znj.kryetare dhe juve deputetë që ne sot ta marrim këtë veprim ta ndryshojmë rregulloren dhe të ia japim mundësinë vetes që mos të ngecin proceset siç ishte propozimi që bëri kolegia,”- është shprehur deputetja.
Ky diskutim nuk u mbyll me kaq, pasi më tej kryeparlamentarja Vjosa Osmani tha se këtë e kishte kërkuar që në muajin mars, kur ishin ditët e para të shpëthimit të pandemisë.
“Lidhur me përpjekjet që janë bërë për ndryshim të rregullores ka qenë propozimi që nga marsi që të mbahen seancat online. Për komisionet kjo mundësi ekziston, ne po i mbajmë mbledhjet e kryesisë përmes platformës ZOOM. Për seancë duhet patjetër të ndryshojë rregullorja. Mua më është dashur konsensusi i grupeve parlamentare,”- tha Osmani.



