Rreth 2 mijë efektivë të policisë ishin sot në shesh për të ruajtur godinat kryesore në protestën e Partisë Demokratike.
Që në orët e para të mëngjesit makinat e uniformave blu zunë vend mbrapa kryeministrisë, në godinën ku më parë ka qenë Ministria e Integrimit.
Perveç numrit te larte te efektiveve, të tjera masa ekstra dhe tepër sekrete ishin marrë nga Policia e Shtetit për të shmangur apo identifikuar më lehtë provokatorët e ndonjë incidenti të mundshëm, që në fakt nuk ndodhi.
Burime nga policia pohuan për “BalkanWeb” se një nga masat sekrete që nuk ra në sytë e protestuesve ishin pikërisht kamerat e trupit që efektivët në rreshtin e parë para kryeministrisë i mbajtën ndezur pothuajse gjatë gjithë kohës.
Një tjetër masë ekstra sigurie ishte edhe monitorimi me dron i turmës, që ka siguruar edhe një foto ekskluzive gjatë momentit kur policia po filmonte nga lart protestuesit.
Ndërkohë gazetari i “News24” Artan Hoxha ka raportuar për “BalkanWeb” se forcat blu kanë infiltuar mes turmës edhe agjentë të veshur civilë.
“Mes turmës ka patur edhe agjentë të infiltruar për të marrë informacion. Pjesa tjetër u që shfaqën në tarracën e Kuvendit, Kryeministrisë dhe të Rognerit ka qenë procedurë normale që zhvillohet në çdo rast të tillë”, – tha Hoxha.



