Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, mori pjesë në Edicionin e 25-të të Samitit Global të Privatësisë, i cili u zhvillua në Uashington, DC, nën organizimin e Shoqatës Ndërkombëtare të Profesionistëve të Privatësisë (IAPP).
Në këtë samit i cili u zhvillua në kuadër të Ditës së Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënaveu u trajtuan çështje kyçe si bashkëpunimi ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, forcimi i pavarësisë së autoriteteve mbikëqyrëse dhe roli i shoqërisë civile në ruajtjen e privatësisë në epokën digjitale.
Dervishi zhvilloi disa takime të rëndësishme me zyrtarë të lartë amerikanë. Në Departamentin Amerikan të Drejtësisë, ai u prit nga Drejtuesi i Privatësisë dhe Lirive Civile, Peter A. Winn dhe Ambasadori Sting Lang, Koordinator Ndërkombëtar për Politikat e Komunikimit dhe Informacionit.
Në këto bisedime u diskutua mbi ligjin e ri për mbrojtjen e të dhënave personale në Shqipëri dhe sfidat që shoqërojnë zbatimin e tij.
Po ashtu, Komisioneri pati një takim me kreun e Komisionit Federal për Tregtinë (FTC), Andrew Ferguson.
Bisedimet u përqendruan tek zbatimi i kuadrit për mbrojtjen e të dhënave mes BE-së dhe SHBA-ve, në përputhje me vendimin e Komisionit Evropian nr. 2023/1795, datë 10 korrik 2023.
Samiti Global i Privatësisë është një aktivitet ku marrin pjesë profesionistë të fushës si politikëbërësit kryesorë, teknologë, autorë dhe sipërmarrës nga e gjithë Bota, të cilët diskutojnë dhe kërkojnë zgjidhje për çështje strategjike dhe sfidat e përditshme në privatësi, qeverisjen e inteligjencës artificiale dhe përgjegjësinë digjitale.



